“Përdhunimi” në spital, biseda mes infermierit dhe të miturës

Kronikë e zezë

“Përdhunimi” në spital, biseda mes infermierit dhe të miturës

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 08:58

Denoncimi i një 16-vjeçareje për ngacmim seksual ka çuar në pranga një infermier të qendrës spitalore Rajonale "Xhaferr Kongoli", në Elbasan. 26-vjeçari Everest Duka akuzohet për ngacmim seksual të të miturës gjatë kohës që kjo e fundit ka qenë e shtruar në spitalin e Elbasanit. Denoncimi është bërë në Drejtorinë e Policisë nga 16-vjeçarja me iniciale S.B., e shoqëruar nga prindërit dhe një psikologe. Në kallëzimin e bërë përpara oficerëve të policisë, e mitura pretendon se infermieri, ka tentuar të kryejë me të marrëdhënie seksuale me dhunë gjatë kohës kur kjo e fundit ka qenë e shtuar në pavijonin e Nefrologjisë.

Menjëhërë pas marrjes së denoncimit, policia ka ndaluar 26-vjeçarin Duka dhe ka nisur fazën e marrjes së tij në pyetje. Infermieri nuk ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke pohuar se, e gjitha është një inskenim i ulët i prindërve të 16-vjeçares. “Unë jam përpjekur të bëj vetëm detyrën dhe këtu në spital më njohin të gjithë, si njeri pa vese. Nuk e kam çuar ndonjëherë në mendje që të abuzoj më pacientët e mi dhe për më tepër më një vajzë minorene”, është shprehur përpara grupit hetimor Duka. Deri në hetimin e plotë të ngjarjes, Drejtoria e Spitalit Rajonal, "Xhaferr Kongoli" në Elbasan ka bërë menjëherë pezullimin e infermierit.

Vetë drejtoresha e këtij institucioni, Dezantila Tahiraj shprehet për gazetën “Shekulli” se “familjarët e 16-vjeçares nuk kanë pasur asnjë ankesë për stafin mjekësor, madje vajza është asistuar nga mjekët specialistë më të mirë që ka spitali i Elbasanit. Nëse do të kishte pasur një ngacmim, siç pretendon ajo, atëherë mund të na kishte sinjalizuar në momentin që ka ndodhur dhe jo pas disa ditësh”, thekson kreu i institucionit. Burime spitalore shprehen se 16-vjeçarja, gjatë qëndrimit 5-ditor në spital, prej datës 24-29 korrik, ka qenë gjatë gjithë kohës e shoqëruar nga mamaja e saj dhe në disa raste edhe nga vjehrra. Ndërkohë, pacientët e tjerë të cilët kanë qenë në të njëjtën dhomë me 16-vjeçaren, mohojnë që infermieri të ketë pasur tendencë për ta joshur apo për ta përdhunuar të miturën.

26-vjeçari Everest Doko, ndodhet në ambiente e paraburgimit të komisariatit të policisë Elbasan, prej ditës së hënë dhe është ballafaquar edhe me vajzën e mitur në prezencë të psikologut, ndërsa i ka mohuar të gjitha pretendimet e familjarëve të vajzës, të cilët sipas tij e kanë detyruar atë të bëj një kallëzim në polici edhe pse ka kaluar disa ditë nga dalja e 16-vjeçares nga reparti infektiv.

Ballafaqimi mes infermierit dhe të miturës

Everest Duka, përpara grupit hetimor, e konsideroi të gjithë këtë histori si të stisur dhe, sipas tij, shumë shpejt do të zbardhet e vërteta. 26vjeçari në fillim ka qenë i shokuar nga ndalimi, duke pohuar se e njeh vajzën, pasi e ka asistuar atë si shumë pacientë të tjerë, por që në asnjë moment nuk e ka pranuar akuzën e bërë ndaj tij. Infermieri është shprehur përpara grupit hetimor se “nuk më ka shkuar mendja t’ë bëj një akt të tillë dhe jo më të tentoj të kryej marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Jam përpjekur të bëj vetëm detyrën time, duke treguar herë pas here humanizëm dhe respekt si me të gjithë pacientët e tjerë”, pohon 26-vjeçari.

“Nëse unë vërtetë do të doja ta bëja një gjë të tillë, që ta përdhunoja, atëherë si mund të ndodhë kjo gjë kur në dhomë kishte edhe 3 pacientë të tjerë që ishin të shtruar. Për më tepër që vajzës së mitur i qëndronte e ëma pranë, gjatë gjithë kohës, dhe në darkë kishte raste që i vinte edhe vjehrra e saj”, thekson infermieri. “Më thoni ju mua, kush nga ju do t’a bënte një veprim të tillë, që të merrte guximin të ngacmonte seksualisht një vajzë të mitur, kur ajo monitorohej pothuajse 24 orë. Këto janë shpifje që i ka bërë e ëma e S.B., dhe shumë shpejt do të dalë që, e gjitha kjo histori është e sajuar dhe këtë e them me bindje të plotë.

Unë nuk duhet të isha këtu sot (të hënën), sepse kam punuar me nder për sa kohë kam shërbyer në pavijonin e Nefrologjisë”, është shprehur Everist Duka përpara hetuesve të çështjes. Një provë që po administrohet nga policia dhe prokuroria e Elbasanit, janë edhe bisedat në Facebook, ndërmjet 16-vjeçares së mitur dhe 26-vjeçarit Doko. Sipas eksepertëve të çështjes, biseda e kryer në rrjetin social ka ndodhur ndërmjet datës 25 dhe 27 e korrik, ku vajza i bënte shantazh nëpërmjet Facebook, duke i thënë se, “Unë nuk i kam punët mirë me burrin tim dhe ai ndoshta më ka lënë, sepse ka shkuar në Gjermani për të kërkuar azil. Unë dua të martohem më ty. Nëse ti nuk më merr për nuse, atëherë ta dish se, do të denoncoj në polici për të gjitha ato bisedat që kemi bërë bashkë dhe për shumë gjëra të tjera”, thuhet në bisedën e rrjetit social “Facebook” ndërmjet Dukës dhe të miturës.

Pacientet: Vajza mezi lëvizte, ai s’kishte mundësi

“Ne nuk kemi parë asnjë gjë të dyshimtë edhe pse ka kaluar disa ditë që e mitura ka dalë nga spitali”-shprehen dy pacientë të cilat kanë më shumë se 1 muaj që janë të shtruara në pavijonin e infektivit në Elbasan. Në dhomën me katër shtretër që ndodhej vajza e mitur, sipas 2 dëshmitarëve të moshuara, ajo shoqërohej nga nëna e saj dhe në mbrëmje vinte edhe vjehrra, e cila rrinte disa orë dhe largohej. “Infermieri nuk ka pasur rast që të ngacmojë apo të ketë kontakt me vajzën e vogël. E ëma e saj mund ta ketë sajuar këtë histori, sepse vajza me zor lëvizte nga shtrati dhe jo më të bënte veprime imorale me infermierin”, shprehen pacientet e dhomës ku ndodhej e mitura.

Drejtoria spitalore pezullon infermierin

Dezantila Tahiraj, drejtore e Spitalit "Xhaferr Kongoli", ka bërë menjëherë pezullimin e infermierit, deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Sipas këtij institucioni, nga ana e 16-vjecares apo e prindërve të saj, nuk ka pasur asnjë ankesë pranë stafit të spitalit, madje vetë drejtoria e spitalit e ka mësuar ngjarjen pas denoncimit në polici. Burime spitalore shprehen se 16-vjeçarja, gjatë qëndrimit 5 ditor në spital, prej datës 24-29 korrik ka qenë gjatë gjithë kohës e shoqëruar nga mamaja e saj. “Ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur kurrë në ambientet e qendrës spitalore në Elbasan dhe kërkojmë nga Policia të kryejë hetime për të zbardhë ngjarjen si edhe imazhin e qendrës spitalore”-thotë drejtoresha Tahiraj.

Denoncimi në polici i 16-vjeçares

E mitura S.B, është paraqitur në orët e vona të së hënës në ambientet e komisariatit të policisë e shoqëruar me nënën e saj, si dhe të afërm të tjerë, ku edhe ka denoncuar 26-vjeçarin, duke deklaruar se ky i fundit në datë 27 korrik të këtij viti, në kohën që ajo ka qenë e shtruar në pavijonin e Nefrologjisë, ku edhe kryente shërbimin 26 vjeçarin, ka tentuar ta përdhunojë me dhunë. Me të marrë këtë denoncim, në prani edhe të psikologes së Policisë, kjo e fundit, rreth orës 00.30 të mëngjesit të së martës, ka shkuar në banesën e 26-vjeçarit të marrë me qira dhe ka bërë arrestimin e tij. Ballafaqimi është ditën e hënë ku, Duka nuk i pranon akuzat e ngritura nga e mitura duke i quajtur inskenime të familjarëve të saj.

Më pas në prani edhe të psikologes, Duka është ballafaquar edhe me të miturën, ku, vajza e ka akuzuar në çdo moment 26 vjeçarin. E mitura nga ana e saj rrëfen se 26-vjeçari ka tentuar ta përdhunojë në datën 27 korrik, madje sipas saj, kjo tentativë është kryer në ambientet e spitalit. Nga ana tjetër ndërmjet infermierit dhe të miturës është bërë një bisedë në rrjetin social Facebook, të cilën e ka zbuluar një i afërm i vajzës. Vajza ishte fejuar që në moshën 14 vjeçare dhe i fejuari i saj ndodhet në Gjermani për të kërkuar azil ekonomik.

Biseda e vajzës së mitur në “Facebook” është zbuluar nga xhaxhai i saj, ku edhe mësoi se vajza nuk fliste me të fejuarin, por me një djalë tjetër. Pas marrjes në pyetje nga familja, ajo ka pohuar se fliste me infermierin, të cilin e kishte njohur në spital, madje kishte pohuar në familjen se ky i fundit kishte tentuar ta përdhunonte. Kjo deklaratë e saj, ka detyruar familjarët që të denoncojnë rastin në polici. Familjarët e vajzës së prekur nga kjo histori kanë refuzuar që të japin versionin e tyre për mediat. I kontaktuar në telefon, babai i vajzës, Sokoli, nuk pranon të japë asnjë version për këtë ngjarje, por thekson se, vajza është në një gjendje të rëndë psikologjike dhe në këtë mënyrë nuk duhet shqetësuar edhe më tej. Vajzës i është ndaluar të kontaktojë me persona jashtë familjes nga psikologu i saj, madje edhe prindërit nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat