Vrasja për xhelozi, Igli Meta mund të ketë pasur 8 bashkëpunëtorë (Foto)

Kronikë e zezë

Vrasja për xhelozi, Igli Meta mund të ketë pasur 8 bashkëpunëtorë (Foto)

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 20:17

Igli Meta mund të ketë pasur shumë bashkëpunëtorë për vrasjen e Ismail Lulit. Përveç të arrestuarit Marjo Mema, dyshohet se kanë qenë edhe shtatë persona të tjerë, të cilët mund të kenë qenë në dijeni për planin e hakmarrjes së Iglit ndaj 17-vjeçarit.

Hetuesit po kontrollojnë kamerat e sigurisë të vendosura në rrugën e përshkruar nga Igli Meta me makinë gjatë pengmarrjes së Ismail Lulit. Një kamera e vendosur në një fabrikë mund të ketë regjistruar momentin e kalimi të Iglit me automjetin tip “Ford Fiesta”, brenda të cilit ndodheshin Marjo Mema dhe Ismail Luli. Nga hetimet e fundit, rezulton se makina "Ford Fiesta" ku ishte Igli Meta dhe Ismail Luli shoqërohej edhe nga disa makina të tjera, të cilat kanë shkuar drejt kishës pasditen e 19 korrikut, aty ku u gjet i vrarë 17-vjeçari Luli.

Hetuesit kanë siguruar edhe thirrjet hyrëse dhe dalëse të telefonit të Iglit, ndërsa do të merren parasysh edhe rezultatet e testeve të toksikologjisë të kryera ndaj dy të arrestuarve. E dashura e Metës, Ambera Saliji ka dëshmuar se Igli ishte konsumues droge dhe se ajo, prej datës 17 korrik (3 ditë para krimit) kishte pasur frikë se mund të ndodhte diçka e rëndë.

Marjo Mema ka pranuar në gjyq se ka qenë i pranishëm në momentin e vrasjes së 17-vjeçarit, megjithëse e kishte mohuar fillimisht këtë. Në dëshminë e fundit, para pak ditësh, ai ka thënë se e ka parë momentin e vrasjes, por nuk ka mundur të ndërhyjë, sepse ishte larg skenës së krimit. 17-vjeçari u vra më 19 korrik për shkak se kishte marrëdhënie me të dashurën e Metës, Ambera Saliji. Igli Meta ka rrëfyer se e vrau Ismailin, pasi situata i doli nga kontrolli, edhe pse në fakt "donte t’i jepte 'një mësim''.


Ismail Luli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat