Shqiptari në Romë kapet me 40 kg drogë, e fshehu në garazh (Video)

Kronikë e zezë

Shqiptari në Romë kapet me 40 kg drogë, e fshehu në garazh (Video)

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 11:21

Policia italiane e qytetit të Romës ka arrestuar shqiptarin H.G 32 vjeç, nën akuzën e zotërimit e të trafikimit të lëndës narkotike. Në garazhin në pronësi të tij u gjetën 40 kg marijuanë, hashash e kokainë.

Arrestimi i 32 vjeçarit shqiptar qe rezultat i një operacioni në orët e vona të natës, kryer nga forcat e rendit kundër trafikantëve të lëndëve narkotike në lagjet e zonës jugore e lindore të qytetit të Romës.

Garazhi i shqiptarit H.G ndodhej në lagjen Tor Bella Monaka të Romës, një nga më problematiket e këtij qyteti.

Zbulimi i lëndëve narkotike u bë në saj të qenve antidrogë që shoqëronin patrullën e policisë italiane gjatë kontrolleve të shumta në disa lokale, restorante e diskoteka të njohura në këto zona.

Në një nga rrugët e lagjes Tor Bella Monaka, qentë antidrogë nuhatën lëndë të dyshimtë pranë qepenave të mbyllur të një garazhi.

Me urdhër te policisë u bë hapja e forcuar e tij ku u zbuluan 35 pako hashash nga një kilogramë, 2 qese me rreth 700 gramë marijuanë secila, si dhe 5 pako të vogla me rreth 100 gramë drogë.

Menjëherë forcat e rendit u vunë nën gjurmët e pronarit shqiptar të garazhit duke realizuar dhe arrestimin e tij.

Operacioni i policisë italiane vazhdon hetimet për zbulimin e prejardhjes së lëndës narkotike si dhe të bashkëpunëtorëve të 32 vjeçarit H.G.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat