Thellohet misteri i zhdukjes së 100 mijë eurove

Kronikë e zezë

Thellohet misteri i zhdukjes së 100 mijë eurove

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 09:35

Ngjarja ku Bujana Bushi nga Vlora mbeti e vdekur në aksident ndodhi më datë 30 korrik, në Kavajë. Familjarët e viktimës akuzojnë policinë se është përfshirë në zhdukjen e 100 mijë eurove, që sipas tyre, Bushi i kishte për të blerë një shtëpi. Reagon policia: Çantën e mori vëllai i të aksidentuarit, sendet jepen me vendimin e prokurorisë. Por prokuroria thotë se materialet janë dorëzuar vetëm 4 orë pas deklaratës së policisë. Mbetet enigmë nëse viktima kishte me vete shumën e madhe të parave.

Mbulohet nga misteri aksidenti automobilistik me pasojë vdekjen e një 32-vjeçareje nga Vlora.

Familjarët e Bujana Bushit akuzojnë se pasi humbi jetën në aksident, i është grabitur çanta ku mbante 100 mijë euro, ndërsa pretendojnë se policia e ka mbajtur të fshehtë dhe madje mund të ketë gisht në këtë skandal të pretenduar prej tyre.

Në ditën e ngjarjes 30 korrik u njoftua fillimisht se aksidenti ishte me pasoja të lehta dhe se ishte dëmtuar lehtë vetëm drejtuesi i një motoçiklete.

Realisht ai ishte një aksident me pasoja të rënda me një të vdekur dhe pesë të plagosur, tre prej të cilëve lehtë, por emri i drejtuesit të automjetit ku udhëtonte 32-vjeçarja nuk u bë publik.

Ndoshta kjo ngjarje do harrohej, por familjarët e viktimës, vëllai, daja dhe xhaxhai i saj pretendojnë se Bushi, nënë e një fëmijë 9-vjeçar, atë ditë me vete ka pasur rreth 100 mijë euro, të cilat sipas tyre i donte për të blerë një shtëpi, por pas vdekjes janë grabitur.

Nga ana e saj policia u detyrua dje të jepte shpjegime të gjata duke bërë kronologjinë e ngjarjes, por pa dhënë detaje në lidhje me pretendimin e familjarëve të Bushit për zhdukjen e 100 mijë eurove.

Sipas policisë, çanta e viktimës është marrë nga vëllai i drejtuesit të automjetit ku ndodhi aksidenti dhe më pas është dorëzuar në polici.

Në një komunikatë për shtyp të mbërritur në redaksi në orën 16:54 të ditës së diel, Policia e Qarkut Tiranë bëri me dije se sendet personale dhe çanta i janë dorëzuar prokurorit të çështjes.

Pas kësaj deklarate, “Gazeta Shqiptare” kërkoi informacion nga prokuroria, ku zyrtarisht u njoftuam se materialet prokurorit të çështjes i janë dorëzuar vetëm 4 orë pas deklaratës së policisë, rreth orës 20:47 po të ditës së djeshme, ku provat janë marrë me procesverbal.

Gjithsesi, nga ana e strukturave të rendit nuk ka shpjegime për pretendimin e familjarëve të Bushit në lidhje me zhdukjen e 100 mijë eurove.

Ndërsa gjatë masës së sigurisë, 51-vjeçari që gjendet në automjet u shpreh se Bushi ishte financierja e punësuar prej tij. Gjithsesi dyshimet ende do mbesin deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

Ngjarja

Aksidenti i rëndë ndodhi më 30 korrik, në afërsi të fshatit Gosë të Kavajës.

Autovetura ku udhëtonin Bujana Bushi dhe 51-vjeçari Kosta Taçi u përplas me një tjetër automjet dhe më pas me një motoçikletë që u bë shkak i aksidentit.

Përplasja ishte e fortë dhe për pasojë mësohet se 32-vjeçarja humbi jetën, ndërsa Taçi dhe katër persona të tjerë morën dëmtime më të lehta.

“Në datë 30.07.2015, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Fatmir Bekshiu, 65 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, si edhe i shtetasit Kosta Taçi, 51 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë. Arrestimi u krye pasi në këtë datë, shtetasi Kosta Taçi duke qarkulluar me mjetin e tij tip “Benz” me targë AA 837 GH në aksin Kavajë-Rrogozhinë, pas ndërprerjes së rrugës nga motori me targë AF107, të drejtuar nga shtetasi Fatmir Bekshiu, u përplas me një mjet tjetër që po udhëtonte në sensin e kundërt të rrugës”.

Kështu thuhet në njoftimin e policisë në lidhje momentin e parë të aksidentit, ndërsa sipas saj dyshohet se shkak u bë ndërprerja e rrugës nga dalja e gabuar e motorit në rrugën kryesore, çka solli devijimin e mjetit.

“Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasja Bujana Bushi, 33 vjeç, banuese në Vlorë, si dhe u dëmtuan lehtë shtetaset e mitura S. C, A. C dhe F. C, fëmijët e drejtuesit të mjetit tjetër që u përfshi në aksident”, -thuhet në njoftimin e djeshëm të policisë në lidhje me ngjarjen.

Ndërsa në një prononcim për mediat, Fisnik Bushi, vëllai i viktimës Bujana Bushi, pohoi se atë ditë motra e tij udhëtonte me 100 mijë euro në automjetin e saj, me të cilat 32-vjeçarja do të blinte një shtëpi. Fisnik Bushi ka deklaruar se në spital mjekët i kanë thënë se sendet personale të motrës së tij i ka marrë vëllai i Konstandin T., por ai dyshon se ato i kanë marrë efektivët.

Ai ka thënë gjithashtu se motra e tij është kërcënuar nga një biznesmen nga Vlora, i cili dyshohet se është i lidhur me aksidentin.

Dyshimet

Për familjarët ngjarja është mjaft enigmatike, duke pretenduar se 32-vjeçarja përveçse ka gjetur vdekjen në mënyrë të dyshimtë, i mungojnë edhe 100 mijë euro, që pretendojnë se mund të jenë zhdukur edhe me ndihmën e policisë lokale.

“Në vendin e ngjarjes është paraqitur vëllai i shtetasit Kosta Taçi (drejtuesit të mjetit), të cilit nga shërbimet policore iu kërkua të vinte në dispozicion dokumentet e makinës, pasi drejtuesi i mjetit u shoqërua për ndihmë mjekësore. Gjithashtu atij iu dorëzuan nga shërbimi policor edhe sendet personale që gjendeshin në makinë. Shtetasi A.A, vëllai i drejtuesit të mjetit, mori me vete edhe çantën e viktimës”.

Kështu shprehet në njoftimin zyrtar Policia e Shtetit, e cila reagoi pas denoncimit publik të familjarëve të Bujana Bushit.

Gjithsesi mbetet enigmatike se përse sendet personale të një personi që ka humbur jetën i jepen jo një të afërmi që duhet të jepte edhe gjeneralitete, por një tjetër individi.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, gjatë këqyrjes së viktimës nga ekspertët kriminalistë nuk janë gjetur dhe sekuestruar sende personale.

Policia mori kontakt me të afërmit e viktimës dhe sqaroi gjithashtu rrethanat e ngjarjes. Përsa i përket çantës me sendet e tjera të viktimës, familjarët janë informuar se mund t’i marrin vetëm pas urdhrit të kthimit të sendeve të sekuestruara të Prokurorisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat