Pushime me para false, në pranga dy të rinj

Kronikë e zezë

Pushime me para false, në pranga dy të rinj

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 18:23

Katër të rinj nga Shqipëria, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, kanë gjetur një mënyrë disi ndryshe për të kaluar pushime në ishullin e Parosit në Greqi. Ata përdornin kartëmonedha të falsifikuara për të blerë produkte dhe shërbime të ndryshme në këtë ishull.

Por kjo skemë u zbulua shumë shpejt nga policia greke, e cila identifikoi grupin e shqiptarëve, pasi u kapën duke paguar në vende të ndryshme me para false. Në prangat e policisë ranë dy të rinjtë shqiptarë 25 vjeç dhe 27 vjeç, ndërsa dy të tjerë mundën të arratiseshin. Aktualisht, bashkëpunëtorët 26-vjeçarë janë shpallur në kërkim.

Në momentin e arrestimit, dy shqiptarët kishin 50 euro të falsifikuara. Kjo ka bërë që policia greke të mos ngurojë në etiketimin e të rinjve si një grup i strukturuar të cilët blinin produkte të ndryshme, kryesisht kafe dhe ushqime, dhe i paguanin me eurot e falsifikuara.

Në këtë mënyrë, ndaj katër shqiptarëve nuk rëndon vetëm akuza e falsifikimit të kartëmonedhave, por edhe ajo e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale, akuza për të cilat, të rinjtë shqiptarë rrezikojnë deri në 20 vite burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat