Akuza policisë: Vdes 32-vjeçarja, zhduken 100 mijë euro

Kronikë e zezë

Akuza policisë: Vdes 32-vjeçarja, zhduken 100 mijë euro

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 08:39

Familjarët e një 32-vjeçareje nga fshati Llakatund i Vlorës kanë denoncuar dje Policinë Rrugore për fshehjen e një aksidenti automobilistik të ndodhur katër ditë më parë në autostradën Kavajë-Rrogozhinë, midis zonës së Gosës dhe të Lekajt.

Në këtë aksident u përfshinë dy mjete dhe një motoçikletë, ndërsa humbi jetën Bujana Bushi, e cila prej 10 vjetësh banonte në Tiranë.

Pjesëtarët e familjes Bushi dje deklaruan se janë zhdukur 100 mijë euro, që vajza e tyre (nënë e një fëmije 9 vjeç, e divorcuar) kishte në çantë. Para këto, me të cilat 32-vjeçarja do të blinte një shtëpi për veten e saj.

Aksidenti u raportua pa pasoja nga ana e policisë së Qarkullimit Rrugor të Kavajës, vetëm me një të plagosur lehtë dhe ky ishte drejtuesi i motoçikletës.

Për vajzën e aksidentuar me vdekje, policia nuk tha asnjë fjalë. Madje as në komunikatën zyrtare, ngjarja nuk u pasqyrua. Pas aksidentit, familjarët e viktimës e konsiderojnë të qëllimshëm dhe krim fshehjen e ngjarjes.

Ata ngrenë akuza ndaj rrugorëve të Kavajës për fshehje të rrethanave të aksidentit, vjedhje të parave si dhe të sendeve personale që vajza kishte me vete.

Ndërkohë, burime nga policia e Kavajës bënë me dije se vajza ka qenë pasagjere në automjetin e biznesmenit K.T. nga Vlora, i cili njihet si R.A. Po dje, blutë pohuan se biznesmeni ka qenë shoferi i mjetit dhe se ai ka mbetur i plagosur (pra rezulton se në aksident janë plagosur dy persona dhe jo një siç u deklarua në fillim).

Ai është duke u kuruar në spitalin e Durrësit, ku u dërgua së bashku me 32-vjeçaren pas aksidentit të ndodhur.

Gjithashtu, burimet policore pohuan se K.T. është arrestuar për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Për të njëjtën akuzë është arrestuar edhe drejtuesi i motoçikletës, i cili thuhet se i preu rrugën mjetit, me të cilin udhëtonte 32-vjeçarja.

Ndërkaq, në një intervistë për GSH, vëllai i viktimës, 27-vjeçari Fisnik Bushi, akuzoi drejtpërdrejt për fshehje të krimit, segmente të caktuara të Policisë së Qarkullimit Rrugor.

“Tri ditë më parë humbi jetën në aksident motra ime, ndaj dua të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje. Kjo për faktin se asnjë televizion nuk e dha këtë lajm. Dua të di pse u fsheh ky aksident, mos e kanë vrarë time motër? Pse nuk na treguan ku ndodhi, pse ndodhi, aksidenti? Kush e shkaktoi? Mos ishte grabitje, apo dhunim? Pse nuk na i dhanë sendet e saj personale? Pse nuk na japin çantën ku kishte më shumë se 100 mijë euro?”

“Unë isha në punë. Jetoj në Tiranë së bashku me motrën që varrosa. E kisha lënë motrën në gjumë, pasi dola herët. Nga ora 12:00 e së enjtes më mori nëna në telefon që më tha që Bujana ka pësuar një aksident. Më dha numrin e infermieres së spitalit të Durrësit. Infermierja më tha hajde se motra të ka vdekur. Kur shkova, e gjeta motrën jashtë morgut. Atë e kishin futur në arkivol, e kishin veshur, gati për ta çuar në shtëpi. Kishin bërë biznes edhe me vdekjen e saj. Më kërkuan 1.5 milionë lekë të vjetra për të çuar motrën në shtëpi. Ndërsa pagova 50 mijë lekë të vjetra për rrobat që i kishin veshur. Rrobat e saj i kishin flakur. E vetmja gjë që kemi gjetur deri tani është vetëm një shapkë të motrës. Ata të morgut më dhanë vetëm një dokument, ku thuhej se shkak i vdekjes ishte aksidenti. Po jo vendi ku ndodhi aksidenti dhe çfarë e si ndodhi”.

“Sapo çova trupin e motrës në shtëpi për ta qarë, xhaxhai dhe daja im shkuan në policinë e Kavajës dhe të Durrësit për të marrë sendet e saj personale. Para se të varrosej, nëna kërkoi vathët, orën, celularin dhe çantën e saj për t’i futur në arkivol. E kemi traditë, por asgjë nuk gjendej dhe nuk është gjetur akoma. Dyshojmë se e gjithë kjo ka të bëjë me çantën me para që ka pasur motra. Bëhet fjalë për më shumë se 100 mijë euro. Me këto para, ime motër do të blinte një shtëpi, për veten e saj. Ku janë paratë? Ne dyshojmë se për këtë shkak është mbajtur e fshehur ngjarja. Dyshojmë që këtë e kanë bërë policët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Policia e Kavajës ia hidhte fajin asaj të Durrësit. Dhe ne sorollateshim në komisariatin e Durrësit, ndërkohë që aksidenti kishte ndodhur në Kavajë. Mësuam se motra ka qenë në makinë me Kostandin T. ose Ramis A. (ai ka dy emra). Na thanë që është nga Vlora, por ne nuk e njohim. Gjithashtu, na thanë se do të na i jepnin sendet personale të Bujanës, sot (dje) në orën 16:00, por nuk na dhanë asgjë. Na thanë që sendet personale ia kishin dhënë vëllait të shoferit. Por, ç’punë kishte ai me sendet personale të motrës sime dhe pse nuk na i japin ne?”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat