Lihen në burg pa afat 3 falsifikatorët

Kronikë e zezë

Lihen në burg pa afat 3 falsifikatorët

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 07:59

Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për tre shtetas, të dyshuar si anëtarë të një grupi të mirë organizuar falsifikimi dokumentesh zyrtare. Personat ndaj të cilëve u vendos masa e sigurisë janë shtetasit Pjerin Brahimaj, Keldi Beshi dhe Jupiter Brahimi. Ata dyshohen si pjesë e një grupi që kryente falsifikimin e vulave, pasaportave, kartave të identitetit e të tjera dokumenteve zyrtare, që më pas përdoreshin nga shtetas të tjerë me synim emigrimin, kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara. Mirpo në sallën e gjyqit ata mohuan të kenë kryer falsifikim dokumentesh. Nëpërmjet avukatëve mbrojtës ata do të kërkojnë pavkefshmërinë e arrestit pasi sipas tyre në banesa u është sekuestruar një printer i theshtë dhe disa letra të bardha A4. Prokuroria e Tiranës nisi hetimet ndaj këtyre personave në tetor të vitit të kaluar, pas marrjes së sinjalizimit nga Policia e Shtetit.

Në rrugë e sipër të plotësimit të dosjes, hetimet e Prokurorisë së Tiranës janë kryqëzuar me një tjetër hetim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda mbi një tjetër grup, i lidhur me të arrestuarit e mësipërm, të cilët janë arrestuar pak kohë më parë me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda, për veprën penale të “trafikimit të personave” nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar nga Shqipëria në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hetimet e kryera në periudhën mars-maj 2015, krijuan një tablo të qartë të ekzistencës së një grupi kriminal, të dedikuar në veprimtarinë e falsifikimit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në formë individuale. Vendqëndrimi i tyre i preferuar dhe marrja e porosive për falsifikime, sipas prokurorisë, bëheshin te një lokal pas Muzeut Kombëtar, kurse falsifikimet kryheshin në një vend ende të paidentifikuar. Element kyç i këtij grupi, si ekzekutor i falsifikimeve, u identifikua 25- vjeçari Pjerin Brahimaj, njohur ndryshe edhe si “Del Pjero”. Grupi i “trafikimit të personave” për në SHBA është hetuar nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe tashmë janë nën masën e sigurisë “arrest me burg” Bajram Xhaja, Kujtim Emiri, Xhelil Alla, Sofie Pepaj dhe Mihal Gjoka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat