24-vjeçarja e trafikuar në Greqi: Shkoja me 10 klientë në natë

Kronikë e zezë

24-vjeçarja e trafikuar në Greqi: Shkoja me 10 klientë në natë

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 09:12

Historia e një vajze të trafikuar. Mashtrimi që i bëri i dashuri, duke e detyruar të punojë si prostitutë në Greqi. Rrëfimi përpara grupit hetimor i 24-vjeçares që paguhej deri në 100 euro për çdo takim me klientët

Dy ditë nga arrestimi i një grupi të strukturuar kriminal të akuzuar për trafikun e personave të rritur, dalin detaje të reja për mënyrën se si u mashtrua një vajze e re dhe më pas u dërgua në Greqi për të punuar në lokalet e natës si prostitutë. Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “DIVA”, të finalizuar dy ditë më parë, prangosi 4 persona dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë. Të prangosurit kanë shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të 24-vjeçares, me origjinë nga Patosi, duke e dërguar drejt ishullit grek Kos, me qëllim shfrytëzimin e saj. Policia arrestoi Anduel Kodrën, 22 vjeç, Amaris Kodra, 22 vjeç, Rrahman Sufa, 20 vjeç dhe Endri Rustem. Gjithashtu u shpall në kërkim 24-vjecari me inicialet E. F dhe B. D, 23 vjeç. Mes të prangosurve është edhe i dashuri i vajzës, Rrahman Sufa. Vajza me iniciale me iniciale A.F., rrëfen të gjithë ngjarjen përpara grupit hetimor, duke treguar me detaje për mënyrën se si u mashtrua nga i dashuri i saj dhe se si kishte tentuar të vriste veten me aceton. Më tej ajo shton se në ishullin grek, kaloi një nga periudhat e saj më të vështira, duke pësuar një depresion të thellë mendor. Sipas 24-vjeçares, kanë qenë prindërit e saj ato të cilët bënë kallëzimin në polici, pasi të gjithë historinë e shfrytëzimit ua kishte treguar prindërve, të cilët jetonin në një gjendje të mjeruar, në qytetin e Patosit.

Si u binde për të shkuar në Greqi?

Mani, (Rrahman Sufa), më tha që do të shkojmë në Greqi te kushërinjtë e tij për të punuar. Unë i kisha thënë edhe familjes sime që kisha një lidhje dashurie me një djalë dhe ia kisha prezantuar edhe prindërve të mi. Të shtëpisë nuk më penguan. Shkova, mora rrobat që më duheshin, sepse në Tiranë jetoja me qira, dhe shkuam në Greqi.

Si ka mundësi që i dashuri juaj, 4 vite më i vogël, ju ka mashtruar?

Unë e besoja atë sepse e doja. Kurrë nuk ma merrte mendja se ai do të bënte një gjë të tillë. Ai më premtoi se do të udhëtonim bashkë në Greqi, ku do të filloja punë në një nga lokalet e natës në një ishull, meqenëse ishte fillim i sezonit turistik. Duke qenë se isha me të vërtetë në gjendje të vështirë ekonomike, pranova të shkoj.

Kur shkuat në Greqi?

U nisëm nga qytetit i Korçës me taksi dhe drejtues ishte Endri Rustemi. E mbaj mend mirë sepse kishte shumë muhabet me të dashurin tim, sikur njiheshin prej vitesh, ndërsa unë nuk i kisha parë asnjë herë bashkë, sa kohë kam qenë e lidhur me Rrahmanin. Në darkën e datës 24 maj, kam mbërritur në Greqi. Unë e dija se do të shkoja në Greqi dhe jo në fund të botës! Udhëtimi mu duk shumë i gjatë dhe, për të shkuar deri te ishullin Kos, neve na u desh më parë të kalonim në Turqi, më saktësisht në qytetin e Bodrumit, dhe pas u futëm përsëri në territorin grek. Atje kam takuar dhe edhe disa persona të tjerë që si kisha parë më parë.

Çfarë pune keni bërë në ishull?

Prostitutë! Më shfytëzonin sikur të isha kafshë pune! Pasi unë punova ditën e parë si kameriere në një lokal nate, më vonë mora vesh që lokalin e kishin të afërmit e Rrahmanit. Ditën tjetër i dashuri im u largua nga ishulli në drejtim të Athinës dhe unë mbeta me Amaris Kodra, shtetasit, E. F. e B. D., të cilët më gjenin klientë, kryesisht shqiptarë, por edhe të anglezë.

Pse nuk i denoncove në policinë greke?

Kisha shumë frikë se mos hakmerreshin ndaj familjes sime. Unë nuk po duroja dot më, madje piva edhe lëndë helmuese, sepse ndjehesha e mashtruar dhe e poshtëruar nga i dashuri im. Pasi dola nga spitali ia tregova të gjithë historinë prindërve të mi dhe më pas ato bënë denoncimin në polici. Unë kam punuar, afërsisht dy muaj nga data 23 maj. “Kriminelët” më kanë detyruar që të shkoja deri në 10 klientë brenda një nate dhe pjesën më të madhe të parave i mbanin ata, ndërsa për shërbimin që u bëja klientëve merrja deri në 100 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat