Në kërkim shqiptari 31 vjeç që vrau me dru Danielin dhe e dogji

Kronikë e zezë

Në kërkim shqiptari 31 vjeç që vrau me dru Danielin dhe e dogji

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 14:58

Policia greke identifikoi dhe shpalli në kërkim vrasësin e 21-vjeçarit shqiptar në Larisa, ndërsa miqtë e viktimës vendosën lule pranë vendit ku ai u gjet pa jetë. Nga ana tjetër, ekspertiza përfundimtare e Mjekësisë Ligjore të Selanikut ka përcaktuar se Daniel Xhafa u godit me një copë druri nga vrasësi, i cili pasi konstatoi se 21-vjeçari kishte vdekur, e zhvendosi trupin për t’i vënë zjarrin.

Siç bën të ditur policia greke, i akuzuari kryesor për vrasjen e Xhafës është një shqiptar 31 vjeç, për të cilin është lëshuar një urdhërarresti ndërkombëtar nga drejtësia në Larisa. Ndërkaq, nuk jepet identiteti i tij dhe ende nuk dihet nëse bëhet fjalë pikërisht për bashkëshortin e së dashurës së Xhafës, të cilin e denoncuan pak ditë më parë të afërmit e viktimës.

Këta të fundit, u shprehën se Danieli ishte joshur nga një grua e martuar, nënë e tre fëmijëve. Pas ceremonisë mortore në fshatin Kuman të Fierit, familjarët e tij thanë se gruas nga Korça i ishin gjetur mesazhet e Danielit në telefonin e saj. Më tej, burri kishte telefonuar Danielin dhe pak ditë më vonë ndodhi vrasja.

Megjithatë, policia dhe drejtësia greke është e rezervuar në dhënien e identitetit të vrasësit të dyshuar, porse konfirmohet shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimi i informacionit me homologët shqiptarë, pasi besohet se pas krimit, ai kaloi kufirin, për t’u fshehur në Shqipëri. Ekspertët e policisë dhe Prokurorisë së Larisës, shkuan sërish dje në vendin e krimit, në zonën Sotirisa Agia të Larisës, ku mblodhën dëshmi dhe prova të reja.

Vrasja e 21-vjeçarit ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa këto ditë miqtë e tij vendosën lule në vendin e krimit.

Nga ana tjetër, nga përgjigjet e autopsisë që u krye të hënën në Mjekësinë Ligjore të Selanikut, rezulton se 21-vjeçari humbi jetën pasi u rrah brutalisht me një copë druri dhe nuk qëlloi me plumb, siç u tha fillimisht, pasi ishin konstatuar dy vrima në kokë.

Nga autopsia rezulton gjithashtu se vrasësi e ka rrahur brutalisht me dru Danielin dhe hera-herës e ulte në gjunjë, derisa dha shpirt. Duke mos u kënaqur nga vdekja, ai e ka tërhequr zvarrë për disa metra, duke e vendosur trupin e pajetë në një tjetër vend, ku i vuri zjarrin, pasi e ka lagur me benzinë.

Flakët i kishin djegur organet gjenitale dhe pjesë të tjera të trupit. Vdekja ka ardhur në orët e para të ditës së premte, pikërisht pak çaste pasi kishte folur në telefon me familjen.

Siç u shpreh vëllai i tij, Kledisi, për herë të fundit Danieli foli në telefon me babanë, pas mesnatës të së enjtes, ku i kishte thënë se do të vonohej pak, sepse kishte shumë ngarkesë në tavernën ku punonte, për shkak të sezonit turistik dhe të nesërmen do të plotësonte dokumentacionin vjetor në qytetin e Larisës.

Familja konstatoi mungesën dhe denoncoi në polici, ndërsa të shtunën një bari shqiptar gjeti trupin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat