Porosia për vrasjen e mjekut në Shkodër erdhi nga burgu i Lezhës

Kronikë e zezë

Porosia për vrasjen e mjekut në Shkodër erdhi nga burgu i Lezhës

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 09:23

Policia zbardh tentativën e vrasjes së mjekut radiolog A. Terolli dhe porositësin e krimit që mbeti në tentativë. Dyshohet se 21-vjeçari Osman Mulja ishte porositur nga i dënuari për vrasje, Eljon Hato. Mjeku mund të ekzekutohej nga “kusuret” e të birit, i akuzuar për plagosje të rëndë. Ja pistat e hetimit dhe dinamika e plotë e arrestimit të të dyshuarit si vrasës me pagesë.

Nëse krimi do kishte ndodhur sot, do ishte një mjek i vrarë dhe shumë dilema rreth arsyes së ekzekutimit të tij. Policia e Shkodrës ka zbuluar thuajse gjithë dinamikën e krimit të mbetur në tentativë, porositësit e vrasjes dhe lidhjet e mundshme rreth arsyes.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, 21-vjeçari Osman Mulja, i cili u arrestua dy ditë më parë me armë në duar gati për kryerjen e vrasjes, kërkonte të ekzekutonte mjekun radiolog A. Terolli. Shumë dyshime janë hedhur mbi motivet, por policia ka shkuar drejt zbardhjes së plotë, kur është mësuar se porositësi i kësaj vrasjeje është i dënuari Eljon Hato, që vuan dënimin në burgun e Lezhës për akuzën e vrasjes. Dyshohet se shkaku mund të ketë lidhje për një hakmarrje të mundshme, pasi djali i mjekut ndodhet në burg sepse dy vjet më parë ka qëlluar me armë dhe lënë të gjymtuar një të ri.

Gjithsesi, kjo është një nga pistat e qëndrueshme për momentin, por me thellimin e hetimeve nuk përjashtohet mundësia edhe se vrasja e mbetur në tentativë ndaj mjekut mund të ketë lidhje të tjera. Djali i mjekut, kohë më parë ka plagosur me armë zjarri pa leje një person duke e lënë të paaftë fizikisht dhe dënimin për këtë vepër penale po e kryen në burgun e Shën Kollit në Lezhë, aty ku qëndron edhe Eljon Hato. Duke qenë të dy në të njëjtin vend vuajtjeje dënimi, ndonjë konflikt i mundshëm në qeli mes Hatos dhe djalit të mjekut radiolog nuk përjashtohet si motiv.

Hetimi

Menjëherë pas arrestimit të 21-vjeçarit Osman Mulja nisën hetimet për të kuptuar arsyet e vërteta se përse tentoi vrasjen e mjekut Terolli. Ndonëse i riu fillimisht ka hezituar të japë shpjegime, më vonë pranoi të flasë dhe rrëfeu jo plotësisht për porosinë dhe rrethanat e ngjarjes.

Ai ndër të tjera ka përmendur se ishte porositur nga dikush, por që nuk kishte dijeni se kush ishte dhe se fjala i ka shkuar nga persona që nuk i njihte. Mirëpo policia ka të tjera prova shtesë, pasi jo më kot mbahej nën survejim, pasi në rrugë operative, prej afër një muaji kishte marrë të dhëna se jeta e mjekut Terolli ishte në rrezik.

“Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Osman Malja kishte si qëllim vrasjen e një mjeku në Spitalin Rajonal Shkodër (mjekun A.T). Kjo vrasje ishte e porositur nga burgu prej shtetasit Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç, i cili ndodhet i arrestuar në ambientet e IEVP Lezhë, për disa akuza të rënda”.

Kështu shprehet zyrtarisht policia e Shkodrës, e cila tashmë ka prova të shumta jo vetëm për autorin, por edhe për porositësit e mundshëm. Në cilësinë e provës materiale, autorit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatike me fishek në gojë dhe një krehër me 15 fishekë. Në hetim për këtë çështje gjithashtu janë edhe shtetasit Eljon (Esmeraldo) Hato, si dhe shtetasi Sh.Rr, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në përgatitjen, porositjen dhe vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit A.T, mjek në Spitalin Rajonal Shkodër.

Po sipas policisë, po hetohet intensivisht për thellimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij organizimi kriminal, për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje”.

Operacioni

Në ditën e djeshme është përpiluar përfundimisht edhe gjithë dinamika e aksionit policor për arrestimin e 21-vjeçarit Osman Mulja.

Sipas burimeve zyrtare, forcat e specializuara të policisë u futën në operacion në momentin që tentoi të hapë zjarr në drejtim të objektit të sulmit, mjekut, me armën e tij tip “Kallashnikov” të kamufluar në një çantë sporti.

Në momentin e ndërhyrjes, autori tentoi të reagojë edhe ndaj forcave policore, por reagimi me armë nuk zgjati shumë, ndaj falë veprimeve të shpejta të efektivëve u arrit neutralizimi dhe arrestimin i tij. Gjatë këtij operacioni autori Osman Malja ka mbetur i plagosur dhe aktualisht, pas ndihmës mjekësore të dhënë është jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa gëzhoja dhe materiale të tjera që ndodhen tashmë për ekspertizë në laboratorin kriminalistik. I riu u kap në kushtet e flagrancës, ndërsa ende ka paqartësi për shumën e parave që do të përfitonte nëse realizohej ekzekutimi i mjekut. Gjithashtu ai kishte planifikuar edhe itinerarin e lëvizjes pasi të kryente krimin. Duke përfituar nga mjeti me të cilin udhëtonte (një motor me fuqi të lartë), ai synonte të largohej nëpërmjet rrugicave të ndryshme dhe më pas të ndihmohej nga një bashkëpunëtor.

E gjithë skema e parashikuar nga 21-vjeçari u rrëzua, falë ndërhyrjes mjaft profesionale të efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale në Policinë e Shkodrës.

Profili i të dyshuarit si porositës i vrasjes

Edhe pse Eljon Hato në statistika figuron si një nga të dënuarit në burgjet tona, përsëri për të ka një video kur tregohet momenti i arrestimit.

Bëhet fjalë për datën 1 maj të këtij viti, kur në afërsi të Laçit u arrestua 25-vjeçari Hato, banues në lagjen “Kiras” të Shkodrës. Ai ishte shpallur në kërkim prej një viti, për akuzën e rëndë të “vrasjes me dashje”, “plagosjes së rëndë me dashje” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Bashkë me të, në të njëjtin operacion spektakolar Policia e Shtetit arrestoi edhe vëllain e tij, Elkier Hato, 31 vjeç, i dënuar për “armëmbajtje pa leje”. Në momentin e arrestimit shfaqen efektivët e policisë së Grupit të Operacioneve Speciale që shtrijnë në tokë dhe më pas prangosin dy vëllezërit Hato. Aksioni ishte i befasishëm dhe ata u gjendën të papërgatitur.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet atyre nuk iu gjet asnjë send i paligjshëm. Për të shmangur arrestimin, ata zakonisht qëndronin larg nga qyteti i Shkodrës, duke u fshehur kryesisht në pellgun Lezhë-Laç. Për lëvizjet e tyre drejt plazhit të Patokut ishin marrë të dhënat në rrugë operative dhe u krye aksioni i befasishëm. Gjithsesi, përveç akuzave të rënda të vrasjes dhe plagosjes, 25-vjeçarit mund t’i shtohet edhe ajo e vrasjes së mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat