Celulari që “tradhtoi” Vladimir Gjutën

Kronikë e zezë

Celulari që “tradhtoi” Vladimir Gjutën

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 11:02

Prokuroria për Krimet e Rënda jep detaje të reja se si arriti të identifikojë Vladimir Gjutën dhe grupin e tij, të cilët janë të dyshuarit kryesorë të tritolvënies në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prova të forta që e kanë çuar grupin e hetimit në këtë konkluzion janë regjistrimi i dy kartave sim të bërë nga Ernest Gjuta në dhjetor të 2014.

Prokurorët kanë arritur që të identifikojnë nëpërmjet IMEI-t të celularit se, dy kartat sim janë aktivizuar në telefonin e nënës së Ernestit dhe më pas janë përdorur për shpërthimin te farmacia pranë QSUT-së dhe për shpërthimin e mbetur në tentativë në rrugën “Muhamed Gjollesha”, ngjarje këto të regjistruar më datë 10 shkurt 2015.

Thirrja e fundit e mbetur në celularin “Nokia” te rruga “Muhamet Gjollesha” bëri të mundur edhe identifikimin se nga ku është bërë thirrja e fundit. Për të bërë të mundur edhe gjetjen e numrit tjetër, akuza, natën që ndodhi shpërthimi ka futur në “sitë” rreth 5 mijë numra, të cilët kanë qenë aktivë pranë zonës së farmacisë së Bashkim Tahirit dhe më pas u identifikua se fshiheshin pjesëtarë të grupit të Gjutës.

Arrestimi i Vladimir Gjutës

Vladimir Gjuta, 35 vjeç, kishte mundur prej muajsh që t’i shmangej arrestimit megjithëse ishte një prej personave më të kërkuar deri në ditën e 18 qershorit 2015, kur ra në prangat e policisë. Njeriu që dyshohet se qëndron jo vetëm pas tritolit në farmacinë e familjes Tahiri, por edhe kërcënimit me jetë të ministrit të Brendshëm, u arrestua pranë tunelit të Kalimashit, në një operacion të forcave speciale RENEA. Në momentin e arrestimit të Vladir Gjutës policia sekuestroi një armë tip “Glock” të personalizuar dhe të larë në flori si dhe një silenciator. Mësohet se Gjuta po shkonte nga Tirana drejt Kukësit.

Ka qenë përgjuesi që policia kishte vendosur disa ditë më parë në lokalin e tij që ka ndihmuar në arrestimin e tij. Gjithashtu mësohet se së bashku me policinë angleze ka nisur kontrolli i të gjithë pasurive të Gjutës, pasi dyshohet se ka kryer aktivitet kriminal edhe atje. Gjuta u kap në mjetin me targa të Kosovës Rks 04 540 EP ku udhëtonte si pasagjer pasi në drejtimin e tij ishte Blerim Thaçi 32 vjeç nga Prizreni. Bashkë me ta në një makinë të dytë më targa AA 169 JG udhëtonte edhe Indrit Ademi 26 vjeç nga Kukësi. Në momentin e prangosjes, Gjutës iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 950 euro, 45 mijë lekë dhe 6 celularë. Mësohet se policia kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjet e njeriut të supërkërkuar dhe mbi bazë është ndërmarrë edhe operacioni i specialeve.

Akuza për Gjutën

Ndaj Gjutës rëndojnë shumë akuza, ku më e rënda është ajo e pjesëmarrjes në grupe të strukturuara kriminale dhe për akte terroriste. Grupi i Gjutës që përgatiti vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Ministrit Tahiri përbëhej nga 7 persona, të cilët gjithashtu dyshohen për vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobusit në rrugën, “Muhamet Gjollesha” në të njëjtën ditë.

Gjykata e Krimeve të Rënda, 4 muaj pas arrestimit ka urdhëruar lirimin nga qelia të Ernest Gjutës, ndërsa për këtë ngjarje vazhdojnë të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Lumjan Matmuja, Kamber Bruka, Erjon Dule dhe Emirjon Gjuta dhe më datë 25 qershor është bërë edhe arrestimi i Baftiar Brukës në Suedi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat