Pas Shkodërs asgjësohen bimë narkotike edhe në Vlorë e Mallakastër

Kronikë e zezë

Pas Shkodërs asgjësohen bimë narkotike edhe në Vlorë e Mallakastër

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 10:44

Policia e Shtetit ka zbuluar dhe asgjësuar rreth 7.530 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa në tre operacione të zhvilluara në Shkodër, Vlorë dhe Mallakastër.

Kështu, në malin e fshatit Mnelë e Madhe në Shkodër janë asgjësuar 1.300 rrënjë të mbjella në 21 parcela, në fshatin Mazrek, sikundër dhe janë gjetur 1 mijë rrënjë të mbjella në 11 parcela, ndërsa në fshatin Kaftallë të Pukës janë asgjësuar 2.300 bimë

Policia thotë se bimët varionin nga 50 deri në 200 centimetra të larta dhe një pjesë e mirë e tyre ishte gati për korrje. Bimët u asgjësuan përmes djegies, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien përballë drejtësisë me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike të personave përgjegjës.

Ndërkohë, në Vlorë policia ka asgjësuar rreth 800 bimë narkotike të mbjella në një tokë pa pronarë në fshatin Verbas. Bimët ishin mbjellë në një zonë pyjore dhe kishin kapur një lartësi deri në 150 centimetra. Policia thotë se po punon për identifikimin e autorëve të mbjelljes së bimëve narkotike.

Ndërsa në Mallakastër, policia ka asgjësuar 2.530 bimë narkotike kanabis sativa në tre fshatra, duke nisur dhe një procedim në gjendje të lirë ndaj 3 kryepleqve.

Kështu, në fshatin Anabreg u gjetën 1.396 rrënjë kanabis dhe ka nisur procedimi për kryeplakun me inicialet A.SH., 39 vjeç.

Në fshatin Çorrush janë gjetur 495 bimë narkotike dhe ka nisur procedimi për kryeplakun S.V., 58 vjeç.

Ndërsa në Kutë, policia ka asgjësuar 639 bimë kanabis dhe ka nisur procedimin për kryeplakun me inicialet K.A., 69 vjeç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat