Vrasja e efektivit, eksperiment me lazer në Lazarat, nuk gjendet predha

Kronikë e zezë

Vrasja e efektivit, eksperiment me lazer në Lazarat, nuk gjendet predha

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 09:28

Një paisje lazer lëshuese është përdorur nga Prokurorët e Krimeve të Rënda si armë, për të mësuar pozicionin dhe këndin se nga është qëlluar në drejtim të Ibrahim Bashës, oficerit të RENEA-s që mbeti i vdekur në fshatin Lazarat.

Për gati dy orë me radhë, tre prokurorët Anton Martini, Besim Hadërmataj dhe Ervin Kondili të shoqëruar edhe nga specialistë të Policisë së Shtetit kanë kryer matjet e nevojshme, ndërkohë që ndryshe nga sa ishte planifikuar për marrjen e dy të penduarve të kësaj dosje në vendin e ngjarjes, kjo gjë nuk ka ndodhur. Kjo pasi mund të sillte tensionimin e situatës me banorë të zonës, dhe mund të sillte momente përplasjesh.

Grupi hetimor ka kryer me kujdes të gjitha veprimet, të cilat më pas do analizohen edhe me dëshmitë e dhëna nga dy të arrestuarit që tashmë cilësuar si të penduar Klodian Selimi dhe Xhuliano Malo. Në riekspertimin e vendit të ngjarjes nuk pati qitje, por për të zbuluar vendin nga u godit me armë Ibrahim Basha u përdor një aparat lazer. Ibrahim Basha u ekzekutua më 24 qershor teksa futej në Lazarat për një operacion policor. Aty u plagosen edhe dy kolegët e tij që ndodheshin në makinë.

Në kërkim të predhës
Gjatë ditës djeshme grupi hetimor ka kontrolluar me imtësi nëpërmjet një aparati metal kërkues predhën që i morri jetën efektivit të policisë Ibrahim Basha. Vendngjarja është kontrolluar disa herë me aparatin metal kërkues, por sërish kërkimet kanë dalë pa rezultat. Burime pranë prokurorisë thanë se gjatë ditës së djeshme nuk është bërë e mundur gjetja e predhës, dhe kjo për ta është kthyer tashmë në një mision të pamundur. Sipas tyre edhe nëse predha do të gjendet ajo besohet të jetë e dëmtuar dhe për pasojë nuk do ketë elementë përbërës për indentifikimin e saj.

Gjurmët e gishtave
Nga ana tjetër ende nuk kanë përfunduar ekzaminimet e gjurmëve të gishtave në armët e Lazaratit, për t’i krahasuar me gjurmët e gishtave të të arrestuarve. Të dyshuarit për sulmin me armë ndaj policisë, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha, do të mbajnë përgjegjësi penale edhe për akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Krahas akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese ndaj punonjësit të policisë, në ngarkim të të dyshuarve si grupi i zjarrit ngre akuzën edhe të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas prokurorisë, Arbion Aliko dhe Bajram Boci, i shpallur në kërkim, dyshohet se janë ideatorët e organizimit të të rinjve të Lazaratit për të sulmuar policinë dhe janë ata që kanë grumbulluar rreth vetes rreth 17 persona.

Burimet thanë se është provuar tashmë se sulmi ishte planifikuar disa muaj më parë, me takimet e herëpashershme mes tyre, mbledhjen e armëve, ndarjen e detyrave për gjithësecilin, përgatitja dhe qepja e maskave të kokës tek një rrobaqepëse në fshat, prishja e murit rrethues dhe ndërtimi i pozicioneve sulmuese. Hetuesit thonë se edhe ditën e sulmit me armë, janë Arbion Aliko dhe Bajarm Boci personat që kanë dhënë urdhrin për të qëlluar në drejtim të policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat