Problemet për pronën, 50-vjeçari kërcënoi me vetëflijim nga maja e vinçit

Kronikë e zezë

Problemet për pronën, 50-vjeçari kërcënoi me vetëflijim nga maja e vinçit

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 09:34

Konflikti për pronat ka qenë shkaku që një 50-vjeçar tentoi t’i jap fund jetës, mëngjesin e djeshëm në kryeqytet. I hipur mbi vinçin e një pallati në ndërtim, afërsisht 25 kate të lartë, Et’hem Gryka kërcënonte se do të vetëflijohej nëse çështja e tij nuk do të kishte një zgjidhje përfundimtare nga Hipoteka e Tiranës. Pas 40 minutash negociatash, ndërmjet Grykës dhe psikologes së Policisë së Qarkut Tiranës dhe një negociuesi të zjarrfikësve, u bë e mundur që të bindej 50-vjeçari dhe dërgimi i tij pranë komisariatit nr.3. Në deklaratën e dhënë përpara hetuesve, Et’hem Gryka ka theksuar se, ka konflikte të vazhdueshme me vëllezërit dhe motrat për të nxjerrë certifikatën e pronësisë. Sipas tij bëhet fjalë për një tokë buke, e cila ndodhet në fshatin Picallë, vetëm pak kilometra larg Tiranës.

“Nuk mund të vazhdoj më në këtë gjendje, u bë vite që shteti më sjellë vërdallë, sa në një zyrë në tjetër dhe përfundimi është i njëjtë, duan lekë siç kanë paguar vëllezërit e mi për të nxjerrë certifikatën e pronësisë. Dua që problemi im të ishte prezent në media sepse askush nuk kujtohet për ne hallexhinjtë”, kështu është shprehur përpara grupit hetimor Gryka, duke shpjeguar edhe qëndrimin për rreth 1 orë në majë të vinçit. Ngjarja u shënua mëngjesin e djeshëm rreth orës 10:20 në kryeqytet në një pallat 25-katesh pranë Gjykatës së Lartë. Et’hem Gryka 50 vjeç banues në fshatin Picallë të Tiranës kishte hipur në vinçin paralel me pallatin dhe kishte arritur deri në katin e 12-të. Ishin disa kalimtarë të rastit, ata që njoftuan policinë për praninë e një personi në vinç. Policia rrethoi zonën duke vendosur perimetrin e sigurisë ndërsa poshtë vinçit u vendos edhe një dyshekë ajri për çdo të papritur.

Zjarrfikësi: Si e binda 50-vjeçarin të mos hidhej

Bujar Kaçana, zjarrfikësi që negocioi me 50-vjeçarin Gryka, tregon momentet kulmore se si arriti ta bindë Et’hemin për të zbritur nga vinçi. Për gazetën “Shekulli”, Kaçana pohon se, 50-vjeçari nuk pranonte që të zbriste për asnjë mënyrë nga vinçi, teksa pranon se ishin përgatitur edhe për më të keqen, duke shkuar në vendngjarje edhe me dyshekë me ajër.

Si e morët vesh që një person donte të hidhej nga vinçi në kryeqytet?

Rreth orës 10:15 të mëngjesit të sotëm (dje) mora një njoftim për një person që donte t’i jepte fund jetës, duke u hedhur nga maja e një vinçi. Nuk dija asgjë më shumë për ngjarjen, vetëm u munduam që të mbërrijmë sa më shpejt pranë një pallat shumëkatësh te Gjykata e Lartë.

Si e bindët 50-vjeçarin që të mos hidhej nga vinçi?

Pasi qëndrova rreth 15 minuta me Et’hem Rukën në zgarën e vinçit, ai më thoshte vazhdimisht se: “nuk dua të jetoj, dua të vdes, nuk mund të jetoj më kështu me padrejtësi” etj. Unë i thashë vetëm kaq: “Nëse ti do të vdesësh, atëherë kush do t’i gëzojë tokat që ti kërkon? Ti duhet të jetosh për të gëzuar tokat që ke dhe, jo t’i japësh fund jetës sepse nuk zgjidh asgjë”.

Më pas çfarë ndodhi?

Në këto momente kur po i flisja që duhet të jetonte dhe që të luftonte për të drejtën e tij, Et’hemi nuk foli asnjë fjalë, por vetëm më kërkoi ndihmë se si të zbriste nga vinçi. Aty u çlirova plotësisht! Ai u kthjellua dhe po më bindej për çdo gjë. Më pas e lidha me litarë dhe e ndihmova që të kalonte trasenë lidhëse ndërmjet vinçit dhe pallatit. Gjithçka shkoi shumë mirë dhe më e rëndësishmja ishte që nuk pati viktima, sepse kohët e fundit kemi parë shumë ngjarje të ngjashme që kanë një fund tragjik.

Precedenti

Rreth dy javë më parë një shtetas me origjinë gjermane i dha fund jetës së tij duke u hedhur nga maja e një vinçi 30 metra i lartë në qendër të kryeqytetit. Sipas policisë, personi i vetëflijuar ishte Dimo Dralle, 25 vjeç, ndërsa në momentin e hedhjes së tij kanë qenë të pranishëm shumë njerëz, duke krijuar panik dhe frikë në radhët e dëshmitarëve. Shkaku kryesor që e ka shtyrë të riun gjerman t’i jepte fund jetës në mënyrë makabre, mund të jetë gjendja e rënduar psikologjike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat