Arrestohet i shumëkërkuari nga Lazarati

Kronikë e zezë

Arrestohet i shumëkërkuari nga Lazarati

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 21:04

Policia e Shtetit ka vijuar operacionet në Lazarat për arrestimin e personave të shpallur në kërkim dhe mbrëmjen e së martës, ka vënë në pranga një prej personave të konsideruar me rrezikshmëri të lartë.

Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Alfons Buzhëri, i dënuar me 22 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “Rrëmbim Personi kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrim të torturës”.

Sipas vendimit të Gjykatës, Alfons Buzhëri, së bashku me 4 persona të tjerë, në mars të vitit 2012 kanë mbajtur peng për më shumë se 11 orë në një banesë në Lazarat 3 persona, ndaj të cilëve kanë ushtruar edhe dhunë, pasi dyshonin se ata i kishin vjedhur një sasi të konsiderueshme hashashi.

Por ndërkaq, Alfons Buzhëri ishte i shpallur në kërkim pasi, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë në mungesë, “Arrest në Burg” për “Vrasje të punonjësit të policisë e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, pasi dyshohet se ka qenë një nga anëtarët që ka qëlluar mbi efektivet e policisë gjatë aksionit të zhvilluar në vitin 2014 në Lazarat.

Ndërkaq, grupi hetimor ka ngritur dyshime se 28-vjeçari mund të ketë qenë pjese edhe e “grupit të zjarrit” që qëlluan mbi policinë mbrëmjen e 24 qershorit, duke i marrë jetën efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha. Por këto dyshime pritet të sqarohen gjatë marrjes në pyetje dhe verifikimeve të tjera hetimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat