Gjermania nisi hetimet për punonjësin pedofil

Kronikë e zezë

Gjermania nisi hetimet për punonjësin pedofil

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 18:26

Prokuroria e Tiranës ka dhënë detaje të plota për ndalimin e shtetasit E.V., i cili akuzohet për posedim dhe përdorim të materialeve pornografike me të mitur.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin E. V., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pornografia”, në formën e posedimit të fotove dhe videove me akte seksuale me të mitur.

Hetimi për rastin në fjalë nisi në qershor 2015, në bazë të materialit të referuar nga ana Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila ishte njoftuar për këtë veprimtari kriminale prej zyrës së Interpolit gjerman.

Nga verifikimet në Shqipëri, të drejtuara nga Prokuroria e Tiranës, rezultoi se shtetasi E. V. kishte në posedim në kompjuterin e tij personal një sasi shumë të madhe fotosh dhe videosh pornografike me të mitur, rreth 390 Gb (gigabajt).

Ndërkohë, hetimet në Gjermani kishin nisur në vitin 2011, me arrestimin edhe të disa shtetasve të cilët akuzohen për prodhim të materialeve filmike dhe fotografike pornografike. Bëhet fjalë për një rrjet prodhimi dhe shpërndarje në internet të materialeve pornografike me të mitur, të cilat qarkullonin në rrjetin e internetit, duke iu dhënë “klientëve” të ndryshëm, në vende të ndryshme të botës.

Gjatë verifikimeve të kryera nga autoritetet gjermane, ndër të tjera, rezultonte se një përdorues interneti në Shqipëri kishte “llogari klienti” për të aksesuar dhe shkarkuar këtë lloj materiali pornografik specifik.

Në vijim të hetimeve të nisura prej tyre, autoritetet gjermane kanë konstatuar trafik në marrjen e këtyre materialeve pornografike nga persona të ndryshëm në shumë vende të botës. Këto verifikime janë kryer gjatë periudhës Janar-Prill 2015. Pikërisht, në kuadër të këtyre verifikimeve, në dt. 01.04.2015, autoritetet gjermane kanë konstatuar një adresë internet protokolli (IP) nga Shqipëria, nga e cila ishin shkarkuar një numër i madh fotosh dhe videosh me pornografi të miturish.

Për këtë arsye, zyra e Interpolit gjerman ka kontaktuar me zyrën e Interpolit shqiptar, të cilit i ka vënë në dispozicion informacionin e detajuar, ku ndër të tjera ishin edhe disa foto të printuar nga materiali që kishte shkarkuar përdoruesi shqiptar.

Pas marrjes së këtij informacioni, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e referon rastin pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila regjistron procedimin penal për veprën penale “Pornografia”, parashikuar nga neni 117 i Kodit Penal.

Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se kjo IP (Internet Protocol) i përket një subjekti shpërndarës interneti (internet provider) të licencuar në Shqipëri. Ky subjekt, ka konfirmuar se adresa IP i përket shtetasit E. V., me adresën e detajuar në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat