Vendosi tritol në lokalin “Ecuador”, arrestohet pas dy vitesh 23-vjeçari

Kronikë e zezë

Vendosi tritol në lokalin “Ecuador”, arrestohet pas dy vitesh 23-vjeçari

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 11:40

Arrestohet dy vite pas ngjarjes, autori i tritolit të lokalit “Ecuador” në Sarandë. Një 23-vjeçar përfundoi në pranga, pasi akuzohet se është autor i një shpërthimi me eksploziv të lokalit të natës.

Ngjarja ka ndodhur më 15 shtator të vitit 2013. Ndërsa sot u arrestua Aleksandër Seferi, i dyshuar si autor që fshihet pas këtij atentati.

"Policia ka kapur dhe ka arrestuar një shtetas për “Shkatërrim prone me eksploziv”. Arrestohet shtetasi, Aleksandër Mazar Seferi, 23-vjeç, banues në Qafë Gjashtë Sarandë. Ky shtetas, procedohej penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative disa mujore, rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin A.E, është autor i ngjarjes së ndodhur më datë 15.09.2013, ku është vendosur një sasi lënde eksplozivi në biznesin “Disko Ekuador” në pronësi të shtetasit V.GJ, në të cilin është shkaktuar një vlerë dëmi prej 1.600.000 lekë (të reja).

Pas dokumentimit të plotë ligjor, u bë i mundur ekzekutimi i Urdhrit të Prokurorit për ndalimin e shtetasit Aleksandër Seferi, për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me eksploziv", neni 152 i K. Penal", thuhet në njoftimin e policisë

Ngjarja e ndodhur në 2013-n, ishte sulmi i shtatë me tritol ndaj diskos "Ecuador", në qendër të qytetit të Sarandës.

Ndërkohë që pas kësaj ngjarje, pronari i këtij lokali, Rudin Haxhia, u përfshi në një tjetër incident më 18 shkurt të 2015-s, pasi u sulmua nga pesë persona.

Dy sulmet e para

Incidenti i parë me 39-vjeçarin është shënuar gjatë vitit 1997, në kohën e trazirave. Ndërsa i dyti ka ndodhur më 2 dhjetor të vitit 2011, ku Haxhia është sulmuar me breshëri Kallashnikovi.

Në vitin 2011, ngjarja ndodhi pranë diskos në lagjen nr 1 të Sarandës, ku Haxhia punonte si truproje. Pas një sherri të momentit ai u qëllua me armë zjarri kallashnikov, por arriti të shpëtonte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat