Mjacaj, profili i një vrasësi me gjak të akullt

Kronikë e zezë

Mjacaj, profili i një vrasësi me gjak të akullt

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 07:42

Në tension policia, në ankth banorët e një fshati, shumë të tjerë mbanin ngulitur sytë mbi televizionet që gati ishin në një operacion të përbashkët me policinë, por ai vërdallisej për të shpëtuar, mendja i punonte sesi të ikte. Ky ishte Sokol Mjacaj, shumë i lodhur, por mjaft i qetë, thuajse i akullt para çdo situate.

Mbi të rëndonte barra e rëndë e marrjes së dy jetëve të turistëve të rinj, por në ato çaste mendonte për veten, si të arratisej sërish nga policia. Çudi bëri edhe për agjentët e policisë që folën me të në telefon. Kërkesat ishin të qarta: “Mos më qëlloni, mos më dhunoni se do dal vetë në oborr”. Teksa iu vendosën prangat, ai shfaqi vetëm lodhje dhe asgjë më shumë. Ai akuzohet për vrasjen e çekëve Michal Svatos dhe Anna Kosinova, por qetësia që shfaqi qe aq e madhe sa dukej sikur ky njeri po shoqërohej për ndonjë sherr të rëndomtë.

Karakteri i shumëfishtë

Djali thatim, krejt i ftohtë, në profilet e psikologëve kriminalistikë nuk është krejt i panjohur si tip. Sipas ekspertëve, ata janë persona me karakter të shumëfishtë, të aftë të kryejnë krime të rënda dhe mjaft të zgjuar për të kuptuar situatën momentale që ka të bëjnë pikërisht me reagimin. Gjithashtu nuk flasin shumë, por dinë të mashtrojnë dhe gati i besojnë ato që thonë dhe përpiqen që te personat e tjerë që i rrethojnë të krijojnë besim. Teksa janë të izoluar në qeli, ata mendojnë edhe për lirinë, por gjithnjë duke ushqyer veten edhe me imagjinatën e kryerjes së krimeve pasi të dalin jashtë burgut, madje ne mendime shkojnë deri në detajime të krimeve imagjinare.

Për herë të parë veprimin e rëndë e kreu në vitin 2015. Asokohe sapo kishte mbushur 15 vite. Nëpërmjet mashtrimit dyshohet se thirri bashkëfshatarin e tij, Agim Lera, vetëm 13 vjeç, dhe më pas e çoi atë në duart e dy vëllezërve Edmond dhe Besnik Kodra, të cilët edhe me ndihmën e tij e masakruan fëmijën e mitur për një varëse floriri dhe për shkak të një bisede për pak hashash. Krim më makabër nuk kishte ku të shkonte, por më pas Mjacaj i tregon të atit, Franit, në mënyrë evazive, se e kishte parë Lerën në afërsi të lumit të Shalës. Përgjatë kërkimeve ai në një moment nis të thotë disa të vërteta të hidhura, ku foli për vrasjen e të miturit nga ana e vëllezërve Kodra.

Mjacaj, një djalë mjaft problematik edhe më parë, kryesisht për vjedhje dhe ushtrim dhune ndaj bashkëmoshatarëve. Ndërsa arrestimi dhe më pas burgosja e çuan në një tjetër jetë, në të tjera mendime në kokën e trazuar. Teksa ndodhej në dhomat e paraburgimit, ai merr një lajm nga familja, por shumë të rëndë. Mëson se e ëma kishte vdekur, pasi konsumoi një sasi helmi, vetëm pak kohë pasi ai ishte arrestuar për krimin e rëndë. Sokol Mjacaj vjen nga një familje e varfër, ku nuk përjashtohet vrazhdësia dhe ushtrimi i dhunës, por sërish varfëria dhe ashpërsia në ambientin ku është rritur nuk përbëjnë krejt arsyen e kthimit të tij në një vrasës gjakftohtë. Sipas ekspertëve, një shtysë për kryerjen e krimeve të rënda ka marrë edhe nga fakti që në një kohë të shkurtër ai është lënë i lirë nga gjykata. Ndonëse akuzohet për vrasje dhe grabitje, ai nuk kreu më shumë se katër vite dënim së bashku. Ndaj mungesa e ndëshkueshmërisë i rikrijoi besimin se çfarëdo krimi të kryente, mund të rimerrte lirinë.

Vendi i rehabilitimit

Për të nuk kishte rrugë tjetër përveç burgut. Duke qenë i mitur, pasi mori dënimin ai kaloi nga dhomat e burgut të Kavajës, ku qëndrojnë personat e mitur. Pjesa më e madhe e bashkëvuajtësve të tij ishin dënuar për krime të vogla, kryesisht për vjedhje apo vjedhje me dhunë në bashkëpunim. Ndërsa ai ishte më “i veçanti”, mburrej për krimin e rëndë, e shihte vetëm më superior se të tjerët. Ndërkohë që burgjet tona kanë edhe psikologë, puna e tyre është krejt kalimtare dhe për më shumë “halli” i madh i burgjeve është mbipopullimi, jo më trajtimi dhe shërbimi shëndetësor mental.

Është rasti tipik që burgu nuk e rehabilitoi, por e çoi në të tjera veprime të rënda. Vetëm pak muaj pasi Sokol Mjacaj la qelinë për moskallëzim krimi dhe pjesëmarrje në vrasjen e 13-vjeçarit Agim Lera, kryen një tjetër krim. Ai akuzohet për grabitje me dhunë, por kësaj radhe pa pasojë vrasjen. Dënohet me 1.6 vite burgim. Ai tashmë ishte rritur dhe nuk quhej më i vogël. Disa muaj të burgut i kreu në atë të Shën Kollit në Lezhë. U fut “fëmijë” në qeli, por doli një i rritur që rrezikshmërinë tashmë e kishte edhe më të madhe. Në familjen mashkullore ai jetonte me të atin dhe një vëlla më të vogël dhe bënte një jetë thuajse të pavarur muajt e fundit, deri ditën kur kreu krimin e rëndë të premten e kaluar, në afërsi të Prekalit, teksa ekzekutoi me plumba pas koke dy të rinjtë çekë, Michal Svatos dhe Anna Kosinova.

Gruaja që bindi vrasësin të dorëzohej: Më kërkoi ujë, kisha frikë

I erdhi krejt papritur në shtëpi, por gruaja e moshuar u tregua mjaft e zonja që kjo ngjarje të mos shkonte në të tjera viktima. Age Koçeku në një intervistë ka treguar si e ka pikasur vrasësin pranë pallatit të saj ndërsa po shikonte përmes televizionit operacionin për arrestimin e tij.

“Dola pashë, se ai ishte poshtë, unë isha lart. Kur doli atje në rrugë i thirra: Hë more shok, ça do? “Jo, kurrgjë”, – tha ai dhe iku drejtë asaj shtëpisë. Më pas hoqi çorapet, mori shapkat edhe erdhi prapë dhe më tha “dua ujë”. Mirë i thashë, ujë po të jap, erdhi dhe s’pyeti hiç, u ul brenda. Edhe i thashë, mos je ai djali…?

“Po, tha, ai jam”, – kështu tregon Koçeku, teksa atë moment nuk ka për ta harruar kurrë. Ajo i ka kërkuar që të dorëzohej, por teksa Mjacaj nuk i jepte përgjigje, sërish nuk kishte shfaqur agresivitet, por kjo duket se është “arma” e tij më e fortë, pasi reagon atëherë kur askush nuk e pret. “I thashë më mirë dorëzohu, se do bëhet puna edhe më keq se është bërë. Ndenji dhe një moment dhe më tha ‘a ke telefon’, po i thashë, kam. Më tha, ‘a po ma merr pak policinë’? Po, i thashë.

E mora policinë vetë, foli edhe ky vetë. Edhe s’ka vonuar, policia ka ardhur në sekonda e ka marrë nga aty”, – tregon Age Koçeku. Pasi ka biseduar në telefon, ai i kërkoi policisë që të mos qëllonin dhe se do të dilte vetë nga shtëpia pa bërë asnjë rezistencë dhe nuk ishte i armatosur. Ai doli me duart e ngritura lart, ndërsa në krah në hyrje të pallatit të vjetër ku u fsheh për pak kohë qëndronte edhe Koçeku, e cila luajti një rol shumë të madh në bindjen e 20-vjeçarit që të dorëzohej e të dilte para drejtësisë. Ndonëse në fshatin Grudë e Re kanë zbarkuar më shumë se 350 efektivë policie, 20-vjeçari i favorizuar nga njohja e zonës ka mundur të fshihet për disa orë.

Fillimisht është fshehur në shkollën 9-vjeçare, pastaj ka ardhur në zonën pranë pallatit, ku ka gjetur strehë dhe në fund është dorëzuar te forcat e rendit. Më pas ai kaloi në oborrin e shtëpisë së Koçekut dhe vendosi që të futej brenda dhe qëndronte ato pak minuta deri në momentin që foli me policinë dhe kryefamiljaren e shtëpisë. “Më e frikësuar isha unë sesa ishte ai. Ai ishte shumë i qetë, unë për vete po dridhesha. Kur mbusha ujin, gjysma e gotës m’u derdh se po thosha mos po më ther se i kishte duart në xhepa, thashë ka ndonjë pistoletë a ndonjë gjë tjetër. I thashë mos e merr veten në qafë, se po më merr më qafë mua dhe veten. “Jo, jo, tha, të mos kesh merak”, nxori një thikë të vogël, “ja këtë kam”, e futi prapë në xhep dhe erdhi policia pastaj”, – rrëfen historinë që nuk e kishte menduar kurrë se do i ndodhte Age Koçeku.

2 dënime

Ka marrë Sokol Mjacaj për akuzën e vrasjes dhe grabitjes, por u lirua ende pa kryar as katër vite për të dyja krimet

3 gjyqtarë

Të Gjykatës së Apelit të Shkodrës i dhanë lirinë e parakohshme duke i ulur dënimin nga dhjetë vite në katër vjet

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat