Përndoqi gazetaren, 5 muaj burg “shkrimtarit” që u fiksua pas Jonida Shehut

Kronikë e zezë

Përndoqi gazetaren, 5 muaj burg “shkrimtarit” që u fiksua pas Jonida Shehut

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 07:45

Saimir Qefalia, 33- vjeçari i “fiksuar” pas gazetares Jonida Shehu, ka dëshiruar bashkëpunimin e saj për realizimin e një filmi bazuar mbi një roman të shkruar prej tij.

Në këtë mënyrë i ka motivuar i pandehuri për prokurorët veprimet e tij përndjekëse gati 2-vjeçare ndaj moderatores të programit “Pasdite në Top Channel”.

Gjatë kësaj kohe, Qefalia e ka ndjekur gazetaren Shehu këmba-këmbës, i ka dërguar SMS në telefon dhe mesazhe në postën e saj private në Facebook, ku i shprehte dashurinë dhe i kërkonte asaj një lidhje.

Qefalia përfundoi në qeli në mars të këtij viti, pas kallëzimit të bërë nga Shehu. Më 2 korrik, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj tij, duke e deklaruar fajtor për akuzën e “përndjekjes” dhe dënuar me 5 muaj heqje lirie.

Në të njëjtin vendim, gjykata ka urdhëruar lirimin nga qelia, për shkak se dënimi i tij ishte kryer me kohën e paraburgimit. Në sallën e gjyqit, Qefalia ka shfaqur pendesë dhe ka kërkuar mëshirë nga gjykata.

NJOHJA

Sipas vendimit të gjykatës, në datën 20.03.2015 është paraqitur pranë shërbimeve policore të Komisariatit të Policisë Nr.1 në kryeqytet shtetasja Jonida Shehu, banuese ne Tiranë, e cila ka kallëzuar se ajo duke punuar si gazetare, në rrethana rastësore në vitin 2012 është takuar me të pandehurin në një televizion.

Pasi i është prezantuar si shkrimtar, ai i ka kërkuar asaj për t’i redaktuar një libër. Ndonëse nga ana e shtetases Shehu të pandehurit i është thënë se ajo nuk merret me libra dhe nuk mund të plotësojë kërkesën e të pandehurit, ky i fundit që nga ajo kohë deri në paraqitjen e kallëzimit penal prej shtetases Shehu, i ka sjellë asaj shqetësime në mënyrë të përsëritur.

Këto shqetësime lidhen me faktin e ndjekjeve prej tij gjatë lëvizjeve të kallëzueses, dërgimit të SMS-ve prej tij, bisedave telefonike, shkrimeve në rrjetet sociale “Facebook” apo edhe dërgimin e dhuratave si romane etj., në vendin e saj të punës, dhe i pandehuri në mënyrë këmbëngulëse kërkonte një lidhje me kallëzuesen.

MOTIVI

Nga ana e saj,- shprehej Gjykata, – kallëzuesja Shehu duke refuzuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të prerë pretendimet e të pandehurit, ajo jo vetëm ka vënë në dijeni familjaret e afërm të saj, apo edhe rrethin shoqëror, por madje edhe shërbimet policore.

Kështu, me qëllimin e ndërprerjes prej të pandehurit të përndjekjes ndaj saj apo edhe parandalimin e konflikteve eventuale, kallëzuesja J.Shehu në datën 11.03.2015 ka kërkuar ndihmën e organeve policore, te cilat në datën e sipërcituar kanë kontaktuar me të pandehurin Saimir Qefalia.

Pasi ka pohuar shqetësimet e përsëritura që ai i ka sjellë shtetases Shehu, që sipas tij kanë ardhur nga dëshpërimi i tij që nuk mundi të bashkëpunonte me kallëzuesen në realizimin e një filmi sipas motiveve të romanit të tij, ai ka premtuar se në të ardhmen nuk do t’i sillte asnjë shqetësim asaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat