Vlorë, ish-juristja e Hipotekës në gjykim për falsifikim dokumentesh

Kronikë e zezë

Vlorë, ish-juristja e Hipotekës në gjykim për falsifikim dokumentesh

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 18:22

Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim ish-juristen e Hipotekës së Vlorës, Odeta Harizaj dhe shtetasin Krenar Tartaraj, të akuzuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Akuzat lidhen me tjetërsimin e një prone publike me sipërfaqe 2500 metra katrorë në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar e më pas shitjen te disa persona të tjerë për 22.5 milionë lekë, raporton “Top Channel”.

Hetimi i Prokurorisë së Vlorës, i cili ka nisur në bazë të kallëzimit të një qytetari, ka arritur të provojë se në bazë të një serie të gjatë dokumentesh të falsifikuara, ish-juristja e ZVRPP e ka regjistruar këtë pronë në vitin 2002 në emër të dy shtetasve, të cilët nuk janë realë. Më pas, këta dy shtetas që nuk ekzistojnë, ia kanë shitur pronën për 1.5 milionë lekë të reja kunatit (burrit të motrës) të juristes. Nga hetimi rezultoi se kunati i të pandehurës Odeta Harizaj nuk kishte dijeni për dokumentin e shitblerjes, çka u vërtetua edhe nga fakti se në kontratën fiktive nuk kishte nënshkruar ai në krah të emrit të tij, por kishte nënshkruar e pandehura Harizaj.

Në vijim, po në bazë të dokumenteve të falsifikuara, kjo pronë u është shitur dy personave nga Delvina, të cilët gjithashtu nuk kishin asnjë dijeni se emri i tyre ishte i përfshirë në një transaksion të tillë në Vlorë.

Më tej rezulton se, gjithnjë me dokumente të falsifikuara, në vitin 2011 këta dy shtetas nga Delvina kanë caktuar si përfaqësues të tyre për shitjen e pronës shtetasin Krenar Tartaraj, nëpërmjet një prokure të përgjithshme. Edhe në këtë rast, rezultoi se prokura në emër të Krenar Tartarajt ishte e falsifikuar, nisur nga ekspertiza e firmave si edhe nga fakti fillestar që dy shtetasit nga Delvina nuk ishin përfshirë në një veprim të tillë juridik dhe aq më tepër të ishin pronarë dhe të shisnin këtë pronë në Vlorë. Po ashtu, nga hetimi rezulton se shtetasi Tartaraj është mik i familjes së të pandehurës Odeta Harizaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat