Tiranë, punonjësi i bankës greke kapet me filma pornografikë me fëmijë

Kronikë e zezë

Tiranë, punonjësi i bankës greke kapet me filma pornografikë me fëmijë

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 21:57

Punonjësi i një banke të njohur greke në Shqipëri, E.V. nga Tirana, është kapur me regjistrime filmike përmbajtjeje për të rritur ku protagonistë ishin fëmijë.

Operacioni policor “Pedofili” që u konfirmua sot në mbrëmje nga policia e Tiranës, bëri ndalimin e të riut që prej vitesh është punonjës IT në disa nga bankat e vendit dhe së fundi pranë një banke greke.

“Strukturat e Sektorit për Krimet Kompjuterike në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me ato të drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, kanë realizuar operacionin policor “Pedofili” ku u bë ndalimi i shtetasit Enkel Vela, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, punonjës IT pranë një banke të nivelit të dytë”, – thuhet në komunikimin zyrtar që policia bëri të ditur sot në mbrëmje.

Ndalimi i Enkel Vela erdhi pas kryerjes së hetimeve proaktive në funksion të procedimit penal të vitit 2015, ndjekur nga Sektori për Krimin Kibernetik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga hetimet ka rezultuar se i ndaluari prej një kohe të gjatë ka shkarkuar, ruajtur, poseduar dhe shpërndarë nëpërmjet përdorimit të aplikacionit dhe rrjetit kompjuterik “eMule” dhe “eDonkey”, materiale si regjistrime filmike video dhe fotografike me përmbajtje pornografike me fëmijë të mitur.

Hetimet për aktivitetin kriminal të kryer nga i ndaluari janë kryer në bashkëpunim me autoritetet policore gjermane nëpërmjet kanalit të bashkëpunimit Interpol. Policia shqiptare thotë se hetimet do vazhdojnë për verifikimin e gjithë aktivitetit të paligjshëm të mundshëm.

Në ngarkim të të ndaluarit, u kryen veprimet procedurale për veprën penale “Pornografia”, parashikuar nga nenet 117 paragrafi i dytë i Kodit Penale, të cilat iu dërguan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë./noa.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat