I dënuar për prostitucion, prokuroria i sekuestron pasurinë

Kronikë e zezë

I dënuar për prostitucion, prokuroria i sekuestron pasurinë

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 12:42

Në vitin 2007 është dënuar për shfrytëzim prostitucioni të tre vajzave, ndërsa sot, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin e 6300 m2 tokë arë, që është kaluar në emër të familjarëve të tij.

Shtetasi Aleko Perlesi, i cili aktualisht po vuan dënimin e marrë në 2007 për “shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese”, ka në emër të tij 6300 m2 tokë arë, të cilat do t’i sekuestrohen nga prokuroria.

Sipas prokurorisë, pasuria e Perlesit është produkt i parave të krijuara nga aktiviteti kriminal i tij, dhe do të bëhet konfiskimi i 6300 m2 tokë arë, të blera me vlerë totale 11 milionë lekë të reja, brenda të cilës janë edhe tre ndërtesa, dy me nga një kat dhe një me 3 kate, si edhe dy llogari bankare, në vlerë totale 10 mijë euro.

Ndërkohë që ai po vuan dënimin, Prokuroria e Durrësit ka marrë informacionet se në emër të Perlesit dhe të familjarëve të tij, po kryheshin transaksione financiare dhe blerje, të cilat kishin burim të dyshimtë financiar.

“Nga hetimi, ka rezultuar se në llogaritë bankare në të cilat janë konstatuar vetëm 10 mijë euro në periudhën 2013-2014, kanë qarkulluar mbi 90 mijë euro. Pasuritë, për të cilat kërkohet konfiskimi dhe kalimi në emër të shtetit, aktualisht gjenden në sekuestro preventive”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Prokurorisë Durrësit bën me dije se të gjitha materialet i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda për hetimin e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, e cila e ka kompetencë hetimore në kuadër të ligjit “Antimafia”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat