Burg për 10 vetë nga “grupi i zjarrit”

Kronikë e zezë

Burg për 10 vetë nga “grupi i zjarrit”

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 08:47

Dje u dhanë edhe dy masat e fundit të sigurisë për dy prej të arrestuarve të çështjes “Lazarati”. Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të dyshuar, Dritan Shurdhi dhe Elis Mahmutaj, me akuzën se janë bashkautorë të sulmit me armë ndaj forcave të rendit në Lazarat. Seanca gjyqësore ndaj dy të rinjve u zhvillua me dyer të mbyllura, ku avokatët mbrojtës kërkuan lirimin nga qelia për mungesë të provave direkte. Mësohet se avokatët shprehën rezerva mbi raportin e policisë shkencore në lidhje me pretendimin e gjetjes së mbetjeve të barutit në duart e të dyshuarve Shurdhi dhe Mahmutaj. Nga ana tjetër, prokurori renditi provat shkencore të ekspertëve të policisë dhe dëshmitë e dy të arrestuarve, që tregojnë se edhe Shurdhi dhe Mahmutaj ishin pjesë e grupit të sulmit.

Sipas prokurorisë, për ngjarjen e mëngjesit të 24 qershorit në Lazarat janë arrestuar 12 persona për akuzën e sulmit me armë ndaj punonjësve të policisë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Në pranga kanë rënë edhe dy kushërinjtë Shehu, të cilët kanë ndihmuar me ushqime dhe rroba dy vëllezërit Aliko gjatë arratisjes së tyre 4-ditore. Mësohet se Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore një video, ku janë fiksuar orët e para të mëngjesit të datës 24 qershor, ku disa persona të armatosur dhe të maskuar shëtisnin në rrugët e fshatit Lazarat. Prokurorët thanë se është kërkuar pastrimi i figurës dhe mundësia e identifikimit të ndonjërit prej tyre. Në Laboratorin e Policisë Shkencore, prokurorët mësohet se kanë dërguar edhe aparatët celularë të 14 të arrestuarve, për të bërë këqyrjen dhe nxjerrjen e fotografive dhe videove të mundshme.

Masat ndaj “grupit të zjarrit” nisën me Xhuliano Malon, 17-vjeçarin që në dëshminë e tij ka bërë të mundur identifikimin e të arrestuarve, si dhe ka zbardhur skemën se si të rinjtë kishin planifikuar gjithçka 6 muaj më parë, për të përfunduar në të shtënat me armë drejt bluve më 24 qershor. I dyti që doli para gjykatës ishte Klodian Selimi, i cili është personi që ka dëshmuar për ngjarjen e Lazarati dhe vendin ku ishin hedhur disa armë të përdorura nga të rinjtë, të gjetura më pas më 30 qershor nga oficerët e policisë gjyqësore në një kanal në Lazarat. Duke u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”, para togave të zeza dolën Dervish Gaba, Elvis Boci, Dritan Shurdhi, Ervin Mahmutaj, Deivid dhe Serxho Shehu. Të 6 këta shtetas mbetën në burg, por mohuan akuzën ndaj tyre, duke deklaruar se nuk kanë lidhje me vrasjen dhe me vëllezërit Aliko kanë raporte shoqërore. Në seanca të veçuara, gjyqtarja Flora Hajredinaj u komunikoi akuzat dhe vëllezërve Arbion e Alban Aliko, të cilët veç mohimit të përfshirjes në vrasjen e Ibrahim Bashës, kanë refuzuar dhe t’u përgjigjen prokurorëve, duke mos dhënë asnjë shpjegim se ku ndodheshin momentin e ngjarjes, pse u arratisën dhe u fshehën për 4 ditë, duke u larguar nga Lazarati. Veç këtyre masave, “arrest me burg” është dhënë dhe për 4 të ndaluar të tjerë në Lazarat nga Gjykata e Gjirokastrës, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe kultivimit të narkotikëve.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka deleguar në Gjykatën e Gjirokastrës, 10 gjyqtarë nga rrethet. Këtë vendim KLD-ja e ka marrë në mbledhjen e fundit më 19 qershor. Shkak për këtë numër të madh delegimesh janë bërë proceset gjyqësore me mbi 100 të pandehur për kultivim kanabis në Lazarat dhe konflikti i interesit që kanë disa gjykatës. Kryesisht, gjyqtarët e deleguar në Gjykatën e Gjirokastrës i përkasin Apelit të Krimeve të Rënda në kryeqytet dhe pritet që ata nga fillimi i javës tjetër të nisin punën në Gjirokastër me proceset, të cilat kanë kaluar në gjykim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat