Fshihnin të ardhurat, procedohen pronarët e 5 bizneseve në Vlorë

Kronikë e zezë

Fshihnin të ardhurat, procedohen pronarët e 5 bizneseve në Vlorë

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 00:51

Policia e Vlorës ka bërë të ditur se po procedon në gjendje të lirë pronarët e 5 bizneseve për fshehje të ardhurash dhe mos kryerjen e detyrave nga organet tatimore.

Sipas Policisë së Vlorës procedimi ka nisur për shtetasit Robert Hajrulla, Andi Gjiknuri, Shaban Zenaj, Eduart Supiqoti dhe Erion Birçaj.

Procedimet penale proaktive për bizneset e këtyre shtetasve kishin nisur para 2 muajsh dhe nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se shtetasit në fjalë, gjatë ushtrimit të aktivitetit në mënyrë të qëllimshme, nuk përdornin kasën fiskale duke shmangur detyrimet tatimore. Dyshohet se shmangia tatimore që këta subjekte kanë kryer është në vlera të larta dhe xhiroja e tyre aktuale i kalon lehtësisht ata si tatimpagues të një biznesi të madh.

Bëhet e ditur se strukturat hetimore të policisë në bashkëpunim me Prokurorinë po hetojnë përgjegjësinë penale të punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Vlore për veprën penale të “Mos kryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Në përfundim të operacionit të koduar “Kuponi Tatimor”, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 10 kompjuter, 6 printer dhe aksesore të tjerë që shërbenin për prodhimin e faturave jashtë sistemit tatimor pa deklaruar të ardhurat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat