Inskenon rrëmbimin, dhe i kërkon para burrit

Kronikë e zezë

Inskenon rrëmbimin, dhe i kërkon para burrit

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 21:55

Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj shtetasve Aleksandra Shepi dhe Kosta (Robert) Ago, pasi akuzohen se kanë inskenuar një rrëmbim dhe kanë i kanë kërkuar para përmes kërcënimeve, bashkëshortit të shtetases Shepi.

Ngjarja ka ndodhur në fund të muajit maj të këtij viti, në Bilisht të Korçës, ku pas “zhdukjes” së papritur të shtetases Aleksandra Shepi, bashkëshortin e saj e telefonojnë duke i kërkuar një shumë të konsiderueshme parash për rikthimin e saj në shtëpi.

Personi që telefonoi shtetasin P. Shepi i kërkoi këtij të fundit që të mos njoftojë autoritetet policore, pasi në të kundërt, do ta pësonte bashkëshortja e tij. Por pavarësisht këtij kërcënimi, shtetasi P. Shepi bëri kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, duke treguar rrethanat e kërcënimit.

Në bazë të hetimit rezultoi se situata e “pengmarrjes” ishte sajuar nga dy të akuzuarit. E pandehura Aleksandra ishte larguar vetë nga banesa e saj dhe kishte shkuar me dëshirë në banesën e të pandehurit Kosta. Ajo e kishte bindur këtë të fundit që të telefonojë bashkëshortin e saj, me qëllim marrjen e një sasie parash.

Policia konstatoi se numrin e telefonit të bashkëshortit të saj, e pandehura Shëpi i ka vënë vetë në dispozicion të pandehurit Kosta Ago. Pas kryerjes së veprimeve të nevojshme procedurale, Prokuroria për Krime të Rënda mori miratimin për arrestin e dy të pandehurve dhe hetimi ndaj tyre është zhvilluar në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat