Gënjeu në favor të Arben Frrokut, 6 muaj burg ish-gardistit

Kronikë e zezë

Gënjeu në favor të Arben Frrokut, 6 muaj burg ish-gardistit

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 12:08

Dënohet me 6 muaj burg ish-gardisti Ylli Memia, një nga dëshmitarët e procesit gjyqësor kundër Arben Frrokut. Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor me akuzën e dëshmisë së rremë, në lidhje me takimet dhe bisedat me Fatmir Vladin dhe Agron Kuliçajn, pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, pasditen e 24 shkurtit 2013 në Tiranë.

Në vendimin e dhënë nga gjyqtarja Ardiana Bera arsyetohet se, për rrezikshmërinë e veprës penale të "dëshmisë së rreme", cilësohet si i domosdoshëm izolimi nga shoqëria për një periudhë 6-mujore.

Në vendim thuhet se, Memia u dënua pasi gënjeu para gjykatës lidhur me bisedat që, kishte zhvilluar pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj pasditen e 24 shkurtit 2013 me dëshmitarin e mbrojtur Fatmir Vladi dhe Agron Kuliçaj. Ai u dënua në mungese, pasi Prokuroria kishte verifikuar dhe depozituar në gjykatë shkresën e mosgjetjes së tij në banesë dhe konfirmimin e largimit jashtë vendit.

Pas ndalimit nga policia për 48 orë në dhjetor të vitit 2014, menjëherë pas seancës gjyqësore ku ndryshoi thëniet e dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore, lidhur me ato çfarë kishte biseduar me Vladin para Kuliçajt, Memia u largua jashtë territorit të vendit. Gjykata është shprehur se, Memia ka mohuar dijeninë e thënieve të Fatmir Vladit dhe Agron Kulicaj për vrasjen e Dritan Lamajt, duke u shprehur në seancë para Krimeve të Rënda se nuk njeh asnjë prej tyre. Por, gjatë gjykimit u vërtetua e kundërta.

Memia ishte personi i parë që dëgjoi rrëfimin e Fatmir Vladit, për skenën e krimit të vrasjes së kryekomisarit Lamaj pasditen e 24 shkurtit të vitit 2013. Më pasi ishte ai që lajmëroi ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat