Krimi i dyfishtë në Selitë, biznesmeni nuk akuzohet për vrasje

Kronikë e zezë

Krimi i dyfishtë në Selitë, biznesmeni nuk akuzohet për vrasje

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 11:06

Biznesmeni i dyshuar si autor i vrasjes së dy të rinjve, që hynë në banesën e tij në dhjetor të 2014-s, nuk do të gjykohet më për akuzën e “vrasjes”.

Flamur Ymeri pranoi se qëlloi për vetëmbrojtje dy të rinjtë Adnand Luli dhe Ervin Shaba, më 18 dhjetor të vitit të kaluar në zonën e Saukut. Por në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës pushoi akuzën e vrasjes ndaj tij. Biznesmeni është dërguar për gjykim vetëm për akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Sipas dosjes, Ymeri do të përgjigjet para Gjykatës së Tiranës vetëm për dyshimet e ngritura nga Prokuroria, se ai është autori i zhdukjes së dy pistoletave, me të cilat janë vrarë të rinjtë Luli dhe Shaba. Dosja ku rezulton i pandehur Flamur Ymeri, është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 26 qershor 2015.

Biznesmeni akuzohej fillimisht për veprat penale “vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Ymeri u hetua fillimisht në masën e sigurisë “arrest me burg”, por më 26 shkurt ajo u zëvendësua me masën “arrest shtëpiak”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat