Seriali i vrasjeve Roterdam–Tiranë, 2 prokurorët holandezë në Shqipëri

Kronikë e zezë

Seriali i vrasjeve Roterdam–Tiranë, 2 prokurorët holandezë në Shqipëri

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 08:14

Dy prokurorë nga Roterdami kanë ardhur në Shqipëri për të hetuar vrasjen e trefishtë në bulevardin “Zogu I” dhe shkëmbimin e informacionit për vrasjen e Besnik Sulkut në Holandë në prill të këtij viti. Zhytësit e policisë holandeze gjejnë armën me të cilën dyshohet se është ekzekutuar Sulku.

Dy prokurorët holandezë që po hetojnë vrasjen e Ilir Sulkut në Roterdam të Holandës kanë ardhur në Tiranë për ngritjen e një grupi të përbashkët hetimor, që do të ndihmojnë në zbardhjen e serialit të vrasjeve. Burime të prokurorisë thanë se prokurorët e çështjes “Sulku” kanë zhvilluar dje takime me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, asaj të Krimeve të Rënda dhe Policisë, me qëllim koordinimin e punës mes strukturave hetimore të dy vendeve.

Vëmendja është përqendruar në serialin e vrasjeve që nisi në Roterdam të Holandës me ekzekutimin e Ilir Sulkut dhe që vazhdoi më pas me një vrasje të trefishtë në Tiranë. Sipas prokurorisë po shikohet mundësia e ngritjes së një grupi të përbashkët hetimor për zbardhjen e këtyre vrasjeve, që dyshohet se lidhen me trafikun e drogës ku është i përfshirë edhe klani mafioz i “Kamorras”. Një prej të arrestuarve për vrasjen e trefishtë në Tiranë më 27 maj është edhe shtetasi italian Salvadore Leticia, pjesë e një klani mafioz që bashkëpunon me “Kamorran”.

E ndërsa prokurorët holandezë shkëmbenin informacione me homologët e tyre shqiptarë, në ujërat Maas Nieuwe në Roterdam, zhytësit e Marinës dyshohet se kanë gjetur armën që është përdorur në likuidimin e shqiptarit Ilirjan Sulkut në prill të këtij viti. Nga ana e policisë tashmë po hetohet nëse arma e zjarrit e gjetur nga zhytësit është e njëjta me atë që përdorën vrasësit në ekzekutimin e 33-vjeçarit. Ilir Sulku, i njohur në Holandë me disa identitete, u vra mbrëmjen e 6 prillit të këtij viti, thuajse dy muaj para se i vëllai i tij, Besnik Sulku të mbetej i vrarë gjatë një përplasjeje me armë në Tiranë.

33-vjeçari u qëllua 4 herë pas koke teksa po zbriste nga mjeti i tij “ Smart” i zi, pasi e kishte parkuar para banesës në Roterdam. Pas kësaj ekzekutori u largua me një makinë “BMW” së bashku me bashkëpunëtorin e tij. Ata tentuan ta fundosin makinën në det për të fshehur gjurmët, por dështuan. Rreth dy muaj më pas, vëllai i tij Besnik Sulku së bashku me shtetasin italian Salvadore Leticia qëlluan me armë ndaj shtetasit Mentor Lufi duke vrarë atë dhe personin që e shoqëronte, shtetasin Gerti Goxhaj.

Dy nipat e Lufit, Markelian Doçi dhe Klevis Doçi u përgjigjën me armë ndaj atentatorëve, duke lënë të vrarë shtetasin Besnik Sulku, ndërsa italiani u arrestua pak momente më pas, teksa tentonte të fshihej në një hotel pranë vendit të ngjarjes. Nga kontrolli i ushtruar atij iu gjet në xhep fotografia e Mentor Lufit. Më herët Lufi i kishte shpëtuar një atentati me armë në zonën e njohur si “Komuna e Parisit” në Tiranë dhe që prej asaj kohe ai shoqërohej nga nipat e tij, Markelian e Klevis Doçi, të cilët gjithashtu janë të dyshuar edhe për vrasjen e Ilir Sulkut në Holandë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat