“Grupi i zjarrit”, foto me snajperin që vrau efektivin e RENEA-s

Kronikë e zezë

“Grupi i zjarrit”, foto me snajperin që vrau efektivin e RENEA-s

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 08:12

Prokuroria gjen në telefonat celularë të të arrestuarve foto të armës me të cilën u vra efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, por pa mundur të sekuestrojë armën e krimit. Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg dy vëllezërit Aliko, të dyshuar si organizatorët e grupit të zjarrit. Avokati Fana: Provat e prokurorisë nuk vërtetojnë që vëllezërit Aliko janë autorë të vrasjes.

Asnjë prej shtatë të arrestuarve si pjesë e grupit të zjarrit në Lazarat nuk ka pranuar të thotë se ku gjendet arma e krimit me të cilën u qëllua efektivi i forcave RENEA, Ibrahim Basha. Disa prej tyre deklarojnë se në morinë e armëve të përdorura duke u gdhirë 24 qershori kanë parë edhe një snajper, armë kjo me të cilën është qëlluar efektivi i policisë. Por të arrestuarit deklarojnë se nuk kanë qenë prezentë në momentin e sulmit ndaj policisë, pasi ata kanë qenë të shpërndarë në zona të tjera të fshatit.

Të vetmit që dinë vendndodhjen e armës tip snajper janë dy vëllezërit Arbion e Alban Aliko, të cilët nuk kanë pranuar ende të sqarojnë pozicionin e tyre në raport me ngjarjen për të cilën akuzohen. Ekspertët e policisë kanë mundur të përcaktojnë se arma me të cilën u qëllua efektivi i RENEA-s është një snajper me precizion të lartë. Ajo është modifikuar për të qëlluar edhe me breshëri dhe rezulton të jetë prodhim rus me emrin “Dragunov”.

Përveç përcaktimit të bërë nga ekspertët, nisur nga provat e mbledhura dhe gëzhojat në vendin e ngjarjes, ata kanë mundur të shohin armën, por jo ta sekuestrojnë atë. Në telefonat celularë të disa prej të arrestuarve, mes të tjerash kanë qenë edhe foto të snajperit, i cili është fotografuar disa herë. Në një prej fotove arma ka qenë mbi tavolinë dhe pranë saj ka qenë kutia, çka tregon se ajo është blerë së fundmi dhe ka qenë e papërdorur deri në sulmin ndaj policisë që përfundoi me një të vrarë dhe dy të plagosur. Edhe pse provat e prokurorisë janë të forta, askush prej të arrestuarve nuk tregon se ku ndodhet arma e krimit, çka do të zbardhte edhe autorësinë e vrasjes së efektivit të RENEA-s.

As në seancën e djeshme gjyqësore ku u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, dy vëllezërit Aliko nuk pranuan të japin dëshminë e tyre mbi grupin e zjarrit dhe sulmin me armë ndaj policisë. Pas një seance maratone, e cila zgjati më shumë se 5 orë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të lërë në burg dy vëllezërit, edhe pse avokati i tyre mbrojtës tha se provat e prokurorisë nuk vërtetojnë se vrasësit e policit janë klientët e tij. Seanca ndaj tyre nisi në orën 9 të mëngjesit, kur dy vëllezërit Aliko u shoqëruan në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me katër akuza, vrasje, plagosje të punonjësit të policisë, armëmbajtje dhe trafik narkotikësh.

I pari që u paraqit në sallë përpara gjykatës ka qenë 20-vjeçari Arbion Aliko, i akuzuari kryesor si organizator i grupit të të rinjve lazaratas. Seanca për vlerësimin e masës së arrestit ndaj tij u ndërpre me kërkesë të avokatit mbrojtës, i cili kërkoi përjashtimin e gjyqtares për njëanshmëri. Kjo kërkesë u rrëzua nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe pas këtij vendimi seanca për caktimin e masës së sigurimit ndaj dy vëllezërve Aliko vijoi me dyer të mbyllura. 17-vjeçari Alban Aliko u paraqit në gjykatë me shenja në fytyrë, por avokati i tij tha se diçka e tillë mund të jetë e justifikueshme, nisur dhe nga gjendja emocionale e punonjësve të policisë që kryen arrestimin e tyre.

Avokat Neshat Fana kërkoi praninë e një psikologu në seancë, pasi Alban Aliko është 17 vjeç dhe konsiderohet i mitur. Të dy vëllezërit janë të akuzuarit kryesorë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha. E gjithë akuza është mbështetur në dëshmitë e dy të arrestuarve, Xhuliano Malo dhe Klodian Selimi, të cilët kanë deklaruar se ditën e zgjedhjeve kanë parë të armatosur në Lazarat dy vëllezërit Aliko.

Në përfundim të seancës avokati deklaroi se nuk rezulton që vrasja e policit të RENEA-s të jetë bërë me snajper.

Distanca sipas tij, mes klientëve të tij dhe furgonit të policisë është 5 metra dhe se atë ditë në fshat kanë vepruar edhe grupe të tjera të armatosura. “Asnjë nga provat nuk vërtetojnë që vëllezërit janë autorë të vrasjes.

Nuk vërtetojnë që të ketë pasur snajper që të jetë qëlluar i ndjeri. Në këtë seancë përcaktimi të masës së sigurisë nuk vërtetohen akuzat e prokurorisë”, tha avokati Neshat Fana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat