Operacion antiterrorizëm në Itali dhe Shqipëri, një i arrestuar në Lushnje

Kronikë e zezë

Operacion antiterrorizëm në Itali dhe Shqipëri, një i arrestuar në Lushnje

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 11:48

Autoritetet italiane dhe ato shqiptare kanë nisur në orët e para të mëngjesit një operacion të përbashkët antiterrorizëm për goditjen e një grupi ekstremistësh, që dyshohen si rekrutues luftëtarësh për ISIS-in.

Operacioni është shtrirë në Milano, Bergamo dhe Groseto në Itali dhe në rrethin e Lushnjes në Shqipëri.

Bëhet fjalë për 11 persona të arrestuar në total, dhjetë në Itali dhe një në Shqipëri. I arrestuari në Shqipëri është shtetasi Baki Çoku, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje. Ai i prangos në orët e para të së mërkurës nga Policia e Lushnjes në kuadër të operacionit antiterror në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Ndaj Çokut Gjykata e Milanos ka nxjerrë dy ditë më parë një urdhër-arrest, ku 40-vjeçari akuzohet për “organizim dhe pjesëmarrje në organizata terroriste” dhe “organizim i sulmeve terroriste në Itali”.

Sipas mediave italiane bëhet fjalë për një rrjet ekstremistësh prej dy familjesh, që përveç propagandës për rekrutimin e luftëtarëve për llogari të ISIS-it në Siri dhe Irak, planifikonin edhe sulme terroriste në Itali.

Përveç Italisë dhe Shqipërisë, rrjeti shtrihej edhe në Marok. Autoritetet italiane njoftojnë se në pranga kanë rënë dy marokenë, ndërsa një tjetër, pjesë e grupit ndodhet i dënuar në Marok po për terrorizëm.

Operacioni në fjalë ishte finalizimi i hetimeve të nisura që prej muajit tetor nga strukturat antiterror italiane. Në këtë muaj, një shtetase italiane e konvertuar, braktisi gjithçka dhe udhëtoi drejt Sirisë ku iu bashkua ISIS-it.

Pas kësaj ajo u vendos nën mbikëqyrje prej autoriteteve të sigurisë dhe do të ishte një bisedë në rrjetet sociale me familjarët e vet që do të sinjalizonte ekzistencën e një rrjeti ekstremistësh në Itali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat