Prokuroria zbardh skemën, ja si funksiononte grupi i zjarrit në Lazarat

Kronikë e zezë

Prokuroria zbardh skemën, ja si funksiononte grupi i zjarrit në Lazarat

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 08:21

Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg Arbion Alikon, i dyshuar si organizator i grupit që qëlloi ndaj forcave RENEA. Ai bashkë me katër persona të tjerë ishin vendosur pranë rrugës kryesore të fshatit, aty ku do të kalonin forcat e policisë. Të dyshuarit e tjerë ishin vendosur në dy pika të ndryshme të Lazaratit.

20-vjeçari Arbion Aliko u përball dje për herë të parë me gjykatën, edhe pse ndaj tij kishte një urdhër-arresti që prej një viti pas operacionit të policisë në Lazarat qershorin e vitit të shkuar. Ai u shfaq i qetë përpara trupit gjykues dhe nuk preferoi të flasë për ngjarjen.

Për sulmin me armë ndaj policisë më 24 qershor të këtij viti, ai do të përballet sërish me gjykatën sot. Gjatë seancës së djeshme ai u njoh me akuzën e vitit të shkuar, pasi prokuroria thotë se së bashku me 15 persona të tjerë janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në kultivimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike.

I pyetur nga gjykata për vendbanimin e tij, 20-vjeçari Aliko tha se ishte banor i qytetit të Gjirokastrës dhe jo i fshatit Lazarat, sikurse është në të vërtetë. Pas nisjes së seancës gjyqësore përfaqësuesit e akuzës parashtruan në gjykatë faktet për të cilat akuzohet Arbion Aliko, i cili bashkë me 15 persona të tjerë është dërguar për gjykim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që iu përgjigjën me armë ndërhyrjes së policisë një vit më parë.

Për akuzën e vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, i dyshuari kryesor dhe vëllai i tij 17-vjeçar do të paraqiten sërish sot në gjykatë për t’u njohur me një tjetër masë sigurimi “arrest me burg”. Prokuroria do të paraqesë edhe provat e mbledhura nga hetimet e deritanishme, të cilat implikojnë direkt dy vëllezërit Aliko si organizatorë të grupit të të rinjve dhe autorë të sulmit ndaj efektivëve të policisë me pasojë një të vrarë dhe dy të plagosur.

Deri tani prokuroria ka mundur të mësojë se ky sulm është organizuar nga të paktën 11 të rinj, kryesisht të moshave nga 17 deri në 22 vjeç, të cilët drejtoheshin nga Arbion Aliko. Ata ishin të gjithë të armatosur dhe të maskuar dhe si qëllim kryesor kishin largimin e policisë nga fshati me qëllim rikthimin e situatës së mëparshme dhe krijimin e terrenit për kultivimin e lëndëve narkotike. Referuar dëshmive të disa prej të arrestuarve dhe provave të mbledhura nga hetimi, prokurorët kanë mundur të krijojnë edhe skemën mbi bazën e së cilës ishte organizuar grupi i zjarrit.

Mbrëmjen e 23 qershorit, të rinjtë ishin ndarë në tri grupe dhe detyrën për të qëlluar policinë e kishin marrë pesë prej tyre, përfshi Arbion e Alban Aliko, si dhe shtetasit Elvis Boçi, Elison Kazma dhe Bajram Boçi. Dëshmitarët kanë treguar se ky grup ishte pozicionuar pranë vendit ku u qëlluan efektivët e policisë.

Ndërsa dy grupet e tjera ishin në pjesën e sipërme të fshatit, ku kanë qëlluar përgjatë gjithë natës me qëllim që t’u tërhiqnin vëmendjen uniformave blu. Sipas hetuesve, ky ishte dhe kurthi i ngritur nga të rinjtë, të cilët prisnin policinë në vendin ku ishin pozicionuar, ndërsa pjesëtarët e tjerë i tërheqin ata nëpërmjet të shtënave me armë, të cilat kanë qenë të shpeshta gjatë gjithë natës së 23 qershorit.

Të pranishmit si pjesë e grupit të zjarrit kanë treguar se në momentin që është afruar furgoni i policisë me efektivët e RENEA-s, në drejtim të tij kanë qëlluar vetëm tre nga pjesëtarët e grupit, por arma e krimit nuk është gjendur ende nga policia për të përcaktuar se cili prej tyre është autori i vrasjes së efektivit të policisë.

Prokuroria thotë se Arbion Aliko ka qëlluar me një armë automatike tip “Kallashnikov”, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë kanë qenë me armë të modifikuara si snajper. Por nga hetimet e deritanishme nuk është përcaktuar ende se cili prej tyre qëlloi duke i shkaktuar vdekjen efektivit Ibrahim Basha. Të gjitha këto të dhëna të mbledhura nga hetimi i deritanishëm do t’i prezantohen sot Gjykatës së Krimeve të Rënda në seancën për caktimin e masës së sigurimit ndaj dy vëllezërve Aliko dhe njërit prej të arrestuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat