Nëntë policë të Kosovës nën hetime për seks me dy vajza, 14 dhe 15 vjeçare

Kronikë e zezë

Nëntë policë të Kosovës nën hetime për seks me dy vajza, 14 dhe 15 vjeçare

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 07:55

Nëntë zyrtarë të Policisë së Suharekës po hetohen se kanë gisht në skandalin e dyshuar të abuzimit seksual me dy vajza të mitura, njëra 14 e tjetra 15 vjeçe. Njëri dyshohet për “Abuzim seksual”, disa për “Fshehje të të bëmave të kolegut” e një është suspenduar për “Ushtrim të ndikimit tek viktima”. Ndërkohë, lista e të dyshuarve mund të zgjatet.

Dy vajza të mitura dyshohet se po abuzoheshin seksualisht nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur familjet kishin kërkuar nga Policia që t’i gjente ato, pasi i kishin raportuar për të zhdukura.

Rreth këtij skandali, Inspektorati Policor i Kosovës është duke hetuar së paku nëntë policë. Ndonjëri prej tyre dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me 14 dhe 15 vjeçaren, ndonjë tjetër se e ka ditur për këtë veprimtari të paligjshme dhe të tjerë se janë munduar të ndikojnë tek viktimat, në mënyrë që të miturat të mos raportonin për abuzimin e tyre seksual në disa motele në Suharekë dhe përreth.

Siç tregojnë për “Zërin” burime pranë Hetuesisë, e tërë ngjarja ka nisur më 9 qershor kur Nita (emri i ndryshuar nga redaksia), 14 vjeçe, me prejardhje nga një fshat malor i komunës së Suharekës, ishte raportuar si e zhdukur nga gjyshja e saj. 58 vjeçares i kishte ardhur mbesa nga Italia për pushime dhe e njëjta për një javë nuk ishte kthyer në shtëpi.

Nita është gjetur gati një javë pas lajmërimit të Policisë për zhdukjen e saj. Saktësisht, më 16 qershor e mitura është gjetur në motel “Flamuri”, në Grejkoc të Suharekës. Në momentin e gjetjes ajo kishte qenë e shoqëruar nga një mashkull nga po i njëjti fshat.

Vajza ishte marrë në pyetje nga Policia dhe kishte treguar për “aktivitetet” e asaj jave. Ajo kishte treguar se ka pasur marrëdhënie seksuale me dia persona në mesin e të cilëve edhe me rreshterin e Policisë së Kosovës Sh.S., 38 vjeçar.

Nita kishte treguar se gjatë aktiviteteve të saj kishte pasur edhe shoqe. Në mesin e tyre kishte qenë edhe në 15 vjece nga një fshat tjetër, gjithashtu i komunës së Suharekës. Edhe kjo është gjetur nga Policia ditën e njëjtë në vila “Aroma” që gjendet në fshatin Reshtan të po kësaj komune.

Dy të miturat kanë dhënë ndaras deklarata në Polici, ndërsa e përbashkëta e deklaratës së tyre është një person – rreshteri SH.S.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat