6 shqiptarë ‘biznes seksi’ në Itali, prostitutat vinin nga Shqipëria

Kronikë e zezë

6 shqiptarë ‘biznes seksi’ në Itali, prostitutat vinin nga Shqipëria

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 22:12

Shtatë persona u arrestuan në Napoli, pasi akuzohen për shfrytëzim prostitucioni. Policia italiane arriti të zbulonte një organizatë kriminale, që merrej me trafikun e qenieve njerëzore nga Shqipëria për në Itali dhe të shfrytëzimit të prostitucionit në Napoli. Gjashtë prej të arrestuarve janë shqiptarë, ndërsa vetëm njëri prej tyre është napolitan.

Katër prej të arrestuarve janë vënë pas hekurave, ndërsa tre të tjerët dolën në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Sipas mediave italiane, rrjeti i prostitucionit zhvillonte aktivitetin e tij në zonën “Vicaria Mercato”, ndërsa shfrytëzimi i femrave në rrugë bëhej në zona të ndara për të evituar konfliktet me grupet e tjera. “Trajtimi i prostitutave ishte i organizuar dhe ato monitoroheshin nga një “truproje” që kontrollonte vajzat, e zgjedhur mes prostitutave më eksperte ose që kishin treguar besueshmëri në kohë”, shkruan “il Gazzettino”.

Femrat e shfrytëzuara për prostitucion thuhet se vinin nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera të Europës. Rrjeti i prostitucionit sipas policisë ishte i përbërë nga djem shumë të rinj, të cilët drejtonin një ose më shumë vajza. Policia thuhet se, ka zbuluar edhe lidhjet se si zhvillonin aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm.

“Kur njëri prej tyre kishte probleme me drejtësinë italiane dhe ishte i detyruar të largohej për në Shqipëri, miqtë e tij vinin për ta zëvendësuar në të njëjtin rol që kishte, duke bërë që organizata të mos e humbiste dominimin mbi territorin”, citon deklaratën e policisë “il Gazzettino”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat