Kontrabandë cigaresh në Kakavijë, pranga inspektorit të doganës

Kronikë e zezë

Kontrabandë cigaresh në Kakavijë, pranga inspektorit të doganës

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 18:24

Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, arrestuan sot në flagrancë punonjësin e policisë kufitare në Kakavije, Mentor Cane me detyrë inspektor si edhe shtetasin Erald Çaço, shitës me pakicë.

Të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale, të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”, të parashikuar në nenin 172, të Kodit Penal.

Arrestimi u krye pas një hetimi dymujor nga i cili u zbulua një linjë e kontrabandës së mallrave që paguajnë akcizë, konkretisht cigareve. “Marlboro”. Sipas njoftimit nga SHÇBA, Cane i merrte stekat me cigare në Duty-Free-Shop në pikën doganore në anën greke të kufirit dhe duke shfrytëzuar detyrën, i kalonte ato në territorin shqiptar, duke shmangur detyrimet doganore. Më pas këto mallra i fuste në bagazhin e mjetit të tij, tip “Benz Mercedez” me targa TR 36 11 U, dhe i sillte në Tiranë tek blerësi.

Në ngarkesën e fundit, të bllokuar sot në mesditë në rrugën “Ndre Mjeda”, në kryeqytet, punonjësit të policisë Cane iu kapën 36 kuti, me nga 3 steka cigare secila. SHÇBA ka dokumentuar për periudhën që ai ishte nën hetim, se kryente të paktën dy ngarkesa në javë, me sasi edhe më të mëdha se rasti i kapur.

Nga ana SHÇBA-së, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kutitë me cigare, dy automjete që u përkisnin shtetasve të arrestuar, si edhe 4 aparate telefoni celularë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat