Vrasja e efektivit të RENEA-s, zbardhet skema e plotë e krimit

Kronikë e zezë

Vrasja e efektivit të RENEA-s, zbardhet skema e plotë e krimit

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 08:36

Policia e Gjirokastrës përcakton rolin e 12 të arrestuarve, kush janë të dyshuarit për sulmin me armë dhe të tjerët bashkëpunëtorë në arratisje. Vëllezërit Aliko i “tradhtoi” telefoni, mohojnë akuzat. Zbulohet videoja që tregon momentin kur u sulmua policia.

Pesë ditë pas vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në Lazarat, policia bën bilancin përfundimtar të operacionit, ndërsa jep edhe detaje të reja në lidhje me sulmin e befasishëm. Tashmë, përfundimisht 12 persona do të procedohen si autorë dhe bashkëpunëtorë të sulmit me armë ndaj punonjësve të policisë. Ndërkohë që dy vëllezërit e konsideruar si protagonistë kryesorë të ngjarjes së datës 24 të këtij muaji, Arbion dhe Alban Aliko kanë mohuar përfshirjen në vrasje dhe nuk pranuan të japin shpjegime të gjata para prokurorëve.

Gjithashtu, një provë tjetër që tregon sulmin e befasishëm dhe të dhunshëm është zbuluar nga një video ku shfaqet momenti kur u qëllua drejt forcave të policisë dhe furgonit ku gjendej Ibrahim Basha. Përveç organizimit mjaft të mirë të autorëve të këtij krimi të rëndë, diçka shkoi keq në operacionin policor, duke nisur nga strukturat e rendit në Gjirokastër, deri në ndërhyrjen e RENEA-s, e cila rezultoi fatale për jetën e efektivit 31-vjeçar Ibrahim Basha. Vrasësi i oficerit të forcave speciale dyshohet se gjendet mes personave të arrestuar, ndërsa policia dhe prokuroria anojnë më shumë nga dy vëllezërit Aliko, të cilët ranë të fundit në pranga, në një tentativë të gjatë arratie, por në limite u dorëzuan pas ndjekjes dhe rrethimit që ishte kryer nga policia. Telefoni i përdorur prej tyre dha vendndodhjen pikërisht në kohën kur ata tentuan të flisnin me të atin, i cili duke iu trembur reagimit me armë, kërkonte vazhdimisht dorëzimin e dy djemve. Sepse këtë herë policia nuk do falte. Kushdo që do qëllonte në drejtim të saj do të asgjësohej pa asnjë paralajmërim.

Policia e Gjirokastrës në një reagim zyrtar shprehet se, në kuadër të këtij procedimi është bërë ndalimi për veprat penale “vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit në bashkëpunim, vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit në bashkëpunim, e mbetur në tentativë në pesë raste dhe prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”. Për këtë akuzë gjenden në qeli dhe pritet të procedohen në vazhdim 17-vjeçari Xhuliano Malo, Klodian Selimi vjeç, Dervish Gababa 20 vjeç, 16-vjeçari E. Kasma dhe 19-vjeçari Elvis Boçi, që të gjithë lindur dhe banues në Lazarat. Ndërkohë pjesë e këtij grupi që do të procedohet dhe gjykohet nga Krimet e Rënda është edhe Arbion Aliko, 20 vjeç dhe vëllai i tij Albani.

Mësohet se përveç ngjarjes së fundit, për Arbion Alikon rëndojnë edhe dy akuza dhe procedime të mëparshme, pasi ka qenë person i shpallur në kërkim prej datës 22 qershor të vitit 2014, për veprat penale “vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu po për të, Prokuroria për Krimet e Rënda në 30 prill 2015 ka lëshuar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal, ku është caktuar masa e sigurimit personal “arrest me burg”, si i dyshuar për sulmet me tritol dhe armë ndaj disa banesave, punonjësve të policisë dhe objekteve të ndryshme, ngjarje e ndodhur tre muaj më parë në Lazarat.

Ndërsa vëllai i tij 18-vjeçar, Albani, akuzohet si pjesëmarrës në sulmin me armë ndaj policisë një vit më parë, por jo i përfshirë në shpërthimet me eksploziv në muajt e fundit. Krahas personave të lartpërmendur është ndaluar edhe 17-vjeçari O. Proko, 19-vjeçari Dejvid Shehu dhe i 20-vjeçari Serxho Shehu, banues në Gjirokastër, të akuzuar për veprën penale “përkrahje e autorëve të krimit”. Nga ana e uniformave blu është bërë ndalimi për veprat penale “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit, dhe “prishja e qetësisë publike” ndaj Dritan Shurdhit, 23 vjeç dhe Elvis Mahmutit, 20 vjeç, lindur e banues në Lazarat. Bëhet e ditur se aktualisht vijon operacioni për kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në sulmin me armë zjarri ndaj punonjësve të policisë, ku dyshohet se janë lëshuar urdhër-arrestet edhe për tre persona të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat