Dy Zyrtarë Policorë dëshmojnë në Gjykimin për Krim të Organizuar

Kronikë e zezë

Dy Zyrtarë Policorë dëshmojnë në Gjykimin për Krim të Organizuar

Më: 30 maj 2015 Në ora: 15:12

Dëshmitarët treguan për marrjen në pyetje të dy personave dhe moszbatimin e një urdhri.

Të premten në gjykimin kundër 21 personave të akuzuar mes tjerash për krim të organizuar, kontrabandë me mallra dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare dhanë dëshminë dy zyrtarë policorë.

Në fillim dëshmoi polici Hazbi Bela që tha se të akuzuarin Hasip Kikin e kishte koleg, ndërsa tregoi se së bashku kishin marrë në pyetje dy persona në cilësinë e dëshmitarëve për kontrabandë.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se pse këta dy persona ishin marrë në pyetje si dëshmitarë, kur ata sipas tij dihej se merreshin me kontrabandë dhe duhej të trajtoheshin si të dyshuar.

Dëshmitari Bela tha se bashkë me kolegun e tij tash të akuzuar nuk kishin informacione se dy personat merreshin me kontrabandë.

Bela tregoi se këtyre personave ai iu kishte bërë pyetje, ndërsa i akuzuari Hasip Bela kishte shkruar ato që thuheshin gjatë intervistës.

Bela gjatë dëshmisë tha se me të akuzuarin Kiki kishte kaluar mirë gjatë punës dhe nuk kihte pasur asnjëherë probleme.
Pas Hazbi Belës dëshmoi Enver Muharremi, eprori policor i Belës dhe Kikit.

Ai tregoi se Belën dhe Kikin i kishte dërguar për t’i marrë në pyetje dy personat në cilësinë e të dyshuarve për kontrabandë.

Muharremi tha se pastaj nga deklaratat e të akuzuarve e ka kuptuar se ata ishin marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve.

Prokurori e pyeti eprorin Muharremi se a është dashur të zbatohet urdhri i tij nga Bela e Kiki.

“Është dashur ta zbatojnë urdhrin tim, por është dashur të kontaktojnë edhe prokurorin e rastit në Ferizaj,” tha Muharremi.

Bajram Tmava, avokati i Hasip Kikit e pyeti Muharremin nëse ekzistonte ndonjë rregullore, ose udhëzim administrativ për zbatimin e urdhrave policorë.

Dëshmitari Muharremi u përgjigj “jo nuk kemi [udhëzim apo rregullore] por urdhrat jepen sipas hierarkisë”.
Megjithatë dëshmitari Muharremi shprehu mendimin e tij se me mosmarrjen në pyetje të dy personave në cilësinë e të dyshuarve për kontrabandë, nuk është bërë ndonjë lëshim.

Në fillim të seancës prokurori propozoi thirrjen e tre personave si dëshmitarë në këtë proces gjyqësor, ndërsa mbrojtja e 21 të akuzuarve propozoi ekspertizë financiare nga ekspertë të pavarur për humbjet që mund t’u kenë shkaktuar institucioneve shtetërore të akuzuarit.
Trupi gjykues pranoi bërjen e ekspertizës, ndërsa njoftoi se për tre dëshmitarët e prokurorisë do ë vendosë më vonë.

Bajram Tmava, avokati i Hasip Kikit pas seancës tha për KALLXO.com e dikush e ka marrë në qafë klientin e tij.

“Sipas asaj që është zbatua deri më tashti qoftë në procedurën e hetuesisë, qoftë tashti në shqyrtimet gjyqësore,
aktakuza nuk ka të bëjë me të mbrojturin tim. Dikush e ka marrë në qafë të njëjtin që gjendet në paraburgim që 18 muaj,” tha Tmava.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 15 maj 2014 ka ngritur aktakuzë ndaj Hasip Kikit, Bekim Sylejmanit, Samet Ballazhit, Imer Azemit, Kadri Kurtishit, Nexhat Gashit, Bujar Lokut, RamadanTopojanit, Tahir Currit, Kadri Kamberit, Nazmi Kalisit, Xhemajl Ramushit, Gani Shabanit, Agron Krasniqit, Rrahman Ljamalarit, Januz Ljamalarit, Naser Ljamalarit, Isuf Ljamalarit, Izair Aliit, Bahtir Gashit dhe Bejtush Gashit .

Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi janë të akuzuar për krim të organizuar, kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi janë të akuzuar për krim të organzuar, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Bujar Loku, RamadanTopojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi janë të akuzuar për krim te organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa Bujar Loku edhe për veprën penale dhënie e ryshfetit.
Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi janë të akuzuar për kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Nexhat Gashi, Gani Shabani, Agron Krasniqi, Rrahman Ljamalari, Januz Ljamalari, Naser Ljamalari, Isuf Ljamalari, Izair Alii, Bahtir Gashi dhe Bejtush Gashi janë të akuzuar për veprën penale shmangie nga tatimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat