Vrasja e trefishtë në Tiranë, nipi i Doçit: I qëllova sepse më vranë xhaxhain

Kronikë e zezë

Vrasja e trefishtë në Tiranë, nipi i Doçit: I qëllova sepse më vranë xhaxhain

Më: 29 maj 2015 Në ora: 07:59

Marrja e hakut bren da 40 ditëve ka qenë edhe shkaku i gjakderdhjes së dy ditëve më parë tek zona e Stacionit të Trenit, ku humbën jetën 3 persona. Ditën e mërkurë, Ilirjan Sula ose siç njihej ndryshe me emrin Durim Sulku, ka pasur të dyzetat, pasi ai ishte vrarë në 6 prill të këtij viti nga persona të panjohur në Holandë. Pikërisht në ditën që vëllai i tij mbushte 40 ditë që kishte ndërruar jetë, Besnik Sulku ka vendosur që bashkë me italianin Salvatore Letticia, të cilin e ka paguar, u ka dalë përballë Mentor Lufit (Doçit) dhe nipave të tij dhe ka qëlluar mbi ata, pas dyshimeve se ka qenë pikërisht ky grup që i ka ekzekutuar vëllain.

Por, Sulku nuk e ka menduar se do të mbetej edhe ai viktimë e kësaj ngjarjeje, pasi kanë qenë dy nipat e Doçit ata që e kanë marrë në moment hakun për xhaxhain e tyre dhe kanë ekzekutuar 37-vjeçarin. Viktimë e këtij shkëmbimi zjarri ka mbetur edhe Gerti Goxhaj, i cili pak minuta para ngjarjes ka qenë duke pirë kafe në mënyrë rastësore me Doçin, por burime policore theksojnë se nuk ka pasur lidhje me përplasjen me armë. Fillimisht, pas ngjarjes, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u shoqëruan dy nipat e Mentor Doçit, konkretisht dy vëllezërit, Markeljan dhe Klevis Doçi, si dhe italiani që ka qenë ortak me Sulkun, të cilët pas dëshmive që kanë dhënë dhe pas provave që u gjetën në vendin e ngjarjes, u arrestuan.

DESHMITE NE POLICI
Markeljan Doçi e kishte pranuar krimin që në momentin që uniformat blu e kishin rrethuar për ta kapur. Burime pranë uniformave blu shtojnë se nipi i viktimës fillimisht ka qëlluar në ajër dhe u ka thënë efektivëve që të mos afroheshin. “Vrava atë që më vrau xhaxhanë dhe tjetrin e kam shtypur me makinë”, mësohet të ketë thënë Doçi në momentin e ndalimit. Edhe gjatë seancës së marrjes në pyetje që i është bërë ditën e djeshme në ambientet e policisë, Markeljano Doçi nuk e ka mohuar krimin, madje ai e ka pranuar se e ka vrarë Besnik Sulkun.

“Qëllova sepse më vrau xhaxhain. Mora hak”, është shprehur para oficerëve Doçi, por pa dhënë shumë shpjegime. Por bashkë me atë, uniformat blu kanë arrestuar edhe vëllain e tij, Klevisin, në rolin e bashkëpunëtorit të kryerjes së krimit. Burime nga uniformat blu pohojnë se ka qenë ky i fundit, ai që ka sqaruar edhe konfliktet mes dy grupeve.

“Në dhjetor të 2014-ës u plagos xhaxhai tek një lokal tek ‘Komuna e Parisit’ dhe ne kishim dyshime se pas kësaj ngjarjeje ka qenë Besnik Sulku dhe vëllai i tij. Pas plagosjes, unë dhe vëllai im shoqëronim xhaxhain në vendet që shkonte ai”, është shprehur Klevis Doçi. Pas kësaj, ai ka shtuar se ditën e mërkurë kanë qenë në makinën “Tuareg” duke ruajtuar xhaxhain e tyre, ndërsa ai pinte kafe me Gerti Goxhajn, i cili është viktimë rastësore në këtë ngjarje.

“Kemi parë që makina e xhaxhait është qëlluar nga dy persona dhe ne kemi qenë tek makina mbrapa dhe kemi nxituar të kapnim ata që qëlluan mbi xhaxhain. Unë nuk kam qëlluar”, ka dëshmuar Doçi para efektivëve. Por, ai nuk ka pranuar që të japë shpjegime se përse ka nisur gjithë konflikti mes dy palëve para vrasjes në Holandë. Ndërsa, italiani Salvatore Leticia mësohet se ka hyrë në Shqipëri afro 8 orë para se të ndodhte përplasja me armë. Ai në fillim e ka mohuar ngjarjen, duke pohuar se nuk kishte lidhje as me Besnik Sulkun dhe as me ngjarjen. Por, pasi oficerët i kanë treguar pistoletën e tretë që është gjetur në vendin e ngjarjes, 39-vjeçari ka pranuar se ka qëlluar ndaj Mentor Doçit.

“Unë me Besnikun kemi qëlluar të dy me armë ndaj makinës ‘BMË’, ku udhëtonte Mentor Doçi”, ka pohuar Leticia. Ai ka treguar se ka qenë i paguar nga Sulku dhe se për afro disa ditë e kanë ndjekur Doçin dhe nipat e tij me një motor tip Skuter, i cili më pas u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Bashkë me motorin, policia ka sekuestruar edhe tri pistoletat e gjetura në vendin e ngjarjes, si dhe automjetet e gjetura pranë vendit ku u ekzekutuan tre personat.

HETIMET
Grupi hetimor i ngritur menjëherë pas ngjarjes po heton në të gjitha pistat për zanafillën e përplasjes me armë të së mërkurës në kryeqytet. Burime pranë grupit hetimor shtojnë se pista më e mundshme që po hetohet është ajo e nisjes së konflikteve për shkak të prishjes së pazareve të drogës, gjë që mendohet se ka sjellë edhe plagosjen e muajve të kaluar të Doçit. Por, jashtë hetimit nuk po lihet as pista e nisjes së konflikteve për shkak të galerive të kromit në Bulqizë. Policia nuk përjashton as pistat e tjera të hetimit, pasi nga të dhënat rezulton se personat kanë qenë me precedentë të mëparshëm penalë./BW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat