Vrau 4 vetë, gjykata lënë burg përjetë autorin, Latollari: Jam penduar, dua gjykim të shkurtuar

Kronikë e zezë

Vrau 4 vetë, gjykata lënë burg përjetë autorin, Latollari: Jam penduar, dua gjykim të shkurtuar

Më: 28 maj 2015 Në ora: 09:08

Autori i masakrës së Gjonomadhit që ndodhi 7 janarin e vitit 2014 do qëndrojë në burg përjetë. Gjykata e Apelit në Korçë ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke dënuar me burg përjetë Bashkim Latollarin. Ky i fundit pranoi vrasjen e ish-të dashurës së tij, Daniela dhe të shoqit Belimon Meçollari si dhe të çiftit Valentina e Rexhep Metellari, që u gjetën në shtëpinë e tyre në momentin e masakrës.

Pasi ka shprehur pendesë për aktin, autori kërkoi kthimin e gjykimit në shkallë të parë, duke e konsideruar të padrejtë refuzimin e gjykimit të shkurtuar. Ai iu referua rastit të Kostandin Xhuvanit, kur gjykata për të njëjtat rrethana dhe pasoja, pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar. Sipas tij, të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe duhet të trajtohen edhe nga gjykata si të tillë. Prokuroria i ka argumentuar arsyet e mospranimit të gjykimit të shkurtuar, procedurë që do ta shpëtonte Latollarin nga burgimi i përjetshëm. Në përfundim të konkluzionit të palëve, treshja e gjyqtarëve ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, për dënim me burgim të përjetshëm të Bashkim Latollarit.

TRONDITJA
Në 7 janarin e vitit 2014,Bashkim Latollari futet në shtëpinë e ish-të dashurës së tij, Danielës, duke vrarë atë, të shoqin si dhe dajën e nusen e dajës së saj, të cilët u ndodhën në atë moment në shtëpi. Bashkimi pretendoi se kishte 5 vjet lidhje me të renë dhe ajo nuk donte më të kishte marrëdhënie me të. Refuzimi e bëri Latollarin të marrë armën dhe të kryejë masakrën që tronditi fshatin Gjonomadh pranë Voskopojës. Çifti i të martuarve që u vranë nga autori kishin dhe dy fëmijë, ku për më të voglin vrasësi kërkonte atësinë, pra kryerjen e analizës së ADN-së, që u hodh poshtë nga Gjykata e Korçës. Fëmijët i morën nën kujdestari gjyshërit, ndërsa Bashkim Latollari mori dënimin maksimal për ngjarjen, duke u dënuar me burg përjetë. Edhe dje gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm, edhe pas pretendimeve të vrasësit të katërfishtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat