Kuroi pacienten me sodë buke, 1 vit e gjysmë burg për mjekun italian

Kronikë e zezë

Kuroi pacienten me sodë buke, 1 vit e gjysmë burg për mjekun italian

Më: 26 maj 2015 Në ora: 08:11

Gjykata e Tiranës dënoi me 1 vit e gjas htë muaj burg mjekun italian Tullio Simoncini, për mjekim të pakujdesshëm ndaj 27-vjeçarit italian, Luca Olivotto të cilin e kuroi me sodë buke për kancer, duke i përshpejtuar vdekjen. Treshja gjykuese i hoqi gjithashtu të drejtën Simoncinit, që për një periudhë prej katër vitesh të mos ushtrojë profesionin e mjekut.

Kolegu i tij, mjeku tjetër italian, Roberto Gandini, mori pafajësinë nga gjykata, pasi nga shqyrtimi gjyqësor nuk rezultoi e provuar që ai të kishte kryer veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 5 vite burg të Simoncinit, ndërsa tri vite për Gandinin ndaj duke mos qenë dakord me vendimin e gjykatës, pritet ta apelojë atë brenda afatit prej dhjetë ditësh.

VDEKJA E OLIVOTTO-s
I riu italian Luca Olivotto i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital privat në Tiranë më 15 Tetor 2012. Tri ditë më vonë, ai ka ndërruar jetë në spital. Mbi bazën e denoncimit të bërë nga familjarët e tij, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet dhe arriti në përfundimin se Luca Ernesto Olivotto ka vdekur si pasojë e komplikacioneve të cilat kanë ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndërhyrjes kirurgjikale të drejtuar nga mjeku italian Tullio Simoncini. Në dosjen e prokurorisë thuhet se mjeku italian Roberto Gandini ka bërë fizikisht ndërhyrjen kirurgjikale duke vendosur një kateter, i cili është vendosur nga gjymtyrët e sipërm në drejtim të trurit.

Nëpërmjet këtij kateteri, i cili depërtonte në tru është injektuar bikarbonat të sodiumit (sodë), i cili ka sjellë komplikacione dhe më pas vdekjen e Olivottos. Ky lloj trajtimi me sodë, thekson prokuroria, nuk njihet në vendet e BE dhe nga vendet e zhvilluara. Rezulton që qëllimisht nga ana e mjekëve është vendosur që ky mjekim të bëhet në Shqipëri. Mandej arsyeton prokuroria, mjekët italianë nuk kanë bërë analizat paraprake, duke shkelur kështu rregullat para dhe gjatë operacionit, e duke konsumuar kësisoj elementët e veprës penale.

Prova më e fortë që përdori prokuroria në gjykim ishte akti i ekspertimit mjekoligjor ku thuhej ndër të tjera se: “Në trajtimin mjekësor të shtetasit Luca Olivotto vërehen elementë të mjekimit të pakujdesshëm nga ana e personelit mjekësor, në formën e neglizhimit. Elementët e mjekimit të pakujdesshëm saktësisht konstatohen në skemën e mjekimit që i është aplikuar shtetasit italian Luca Olivotto”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat