Dyshon se rryma i dogji biznesin, Ferizajasi pret përkrahje

Kronikë e zezë

Dyshon se rryma i dogji biznesin, Ferizajasi pret përkrahje

Më: 23 maj 2015 Në ora: 18:21

Një zjarr i fuqishëm i cili dje kishte ra në objektin e ndërmarrjes "Nedri-Comerc" në Ferizaj, kishte bërë që pronarit të kësaj ndërmarrje Driton Murselit, t'i shkaktoj dëme të konsiderueshme materiale.

Ai dyshon se shkaktari i zjarrit ka qenë rryma elektrike e cila në këtë zonë asnjëherë nuk ka qenë stabile për shkak të kyçjeve të shumta të shtëpive dhe trafove të amortizuara. Pavarësisht humbjeve të cilat i janë shkaktuar biznesit të tij, Dritoni, ndjehet i relaksuar se në këtë rast nuk ka pasur humbje të jetëve.

Ai në një bisedë për KosovaPress, thotë se në këtë kohë të vështirë për biznesin e tij pret përkrahje nga të gjithë ata që mund t'i ndihmojnë.

"Objekti ka pasur repromaterial të mobilieve, shumica është djegur por edhe ajo pjesë që ka mbetur nuk dihet se në çfarë gjendje është. Në këtë gjendje nuk mund të flitet për vlerën e dëmit por një dihet se ajo është shumë e lartë dhe e papërballueshme", shprehet Dritoni.

Këtë biznes të shtunën e ka vizituar edhe një delegacion i Agjencionit Kosovar të Bizneseve (AKB), i cili është njoftuar më për së afërmi me pasojat që i ka shkaktuar zjarri këtij biznesi.

AKB shprehu keqardhje për dëmin e shkaktuar që pronaret dyshojnë se është shkaktuar nga rritja dhe rënia e voltazhës së energjisë elektrike.

Drejtuesit e AKB-së kërkuan që Komuna e Ferizajt t’i dalë në ndihmë kësaj ndërmarrje së paku duke e përkrahur me ndihma dhe lirim nga taksat komunale, ndërsa Administrata tatimore të ja heq TVSH-në dhe ta vlerësojë realisht dëmin e shkaktuar.

Dritoni e ka vlerësuar këtë vizitë të këtij delegacioni, duke thënë se në këto momente të vështira për biznesin e tij çdo përkrahje është e mirëseardhur.

"Po ka qenë një delegacion i AKB-së, unë i falënderoi për këtë vizitë dhe përkrahjen që ma kanë dhënë drejtuesit e saj", ka thënë ai.

Ndryshe, dje në aksionin e shuarjes së zjarrit kanë qenë të angazhuara njësitet e zjarrfikësve dhe të policisë, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe institucionet e pushtetit lokal të Ferizajt, të cilat në këto rast janë të pafuqishme që të bëjnë më shumë nga fakti se kanë një buxhet të limituar.

“Me të marr lajmin se një ndërtesë e ka kapluar zjarri menjëherë kemi dal në vendin e ngjarjes. Sipas vlerësimeve të para, dëmi është mjaft i madh. Ne si drejtori e Emergjencave do të shohim mundësit për ti dal në ndihmë kësaj kompanie, ndonëse buxheti për emergjenca nuk është aq i madh”, ka thënë Mimoza Fazliu, drejtoreshë e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë.

Pavarësisht kësaj ky biznesmen edhe përkundër sfidave është i vendosur që ta rikthej biznesin e vet që e ka krijuar me mjaft mund.

"Çdo ndihmë është e mirëseardhur por unë do të vazhdoj që të punoj në rikthimin e kapaciteteve të ndërmarrjes", shprehet Driton Murseli.

Ndryshe, nga informacionet e para jozyrtare u bë e ditur se vlera e dëmit të shkaktuar nga zjarri sillet diku rreth 100 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat