Kapet 22-vjeçari që përplasi qëllimisht policin

Kronikë e zezë

Kapet 22-vjeçari që përplasi qëllimisht policin

Më: 21 maj 2015 Në ora: 11:59

Arrestohet pesë muaj pas ngjarjes i riu që aksidentoi efektivin e policisë. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, ndaluan 22-vjeçarin Lajden Kadilli, banues i qytetit bregdetar, i cili ishte në kërkim për dy akuza penale, një prej të cilave lidhet me aksidentimin e qëllimshëm të një polici.

Gjykata e Durrësit me vendimin nr.1050, datë 11.12.2014 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ngjarja për të cilën kërkohej dhe u kap Kadilli ndodhi më 4 dhjetor të vitit të kaluar. Lajden Kadilli, banues në Durrës, rreth orës 08:20 të 4 dhjetorit, në lagjen nr.3 te rruga Durrahu, përballë Pallatit të Kulturës, duke drejtuar mjetin Benz me targë AA 165 KF, goditi me dashje motoçikletën e policisë me targë Policia 744, që drejtohet nga efektivi Ndriçim Çupa, 37 vjeç, banues në Durrës.

Si pasojë e aksidentit punonjësi Çupa u shtrua në spital, për të marrë mjekimin e duhur pas disa plagëve të marrë. Ndërsa motori me të cilin ai lëvizte ishte dëmtuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat