​Plagoset me thikë një serb në Pasjan të Gjilanit

Kronikë e zezë

​Plagoset me thikë një serb në Pasjan të Gjilanit

Më: 5 maj 2015 Në ora: 10:04

Është plagosur mbrëmë me thikë, në hyrje të fshatit Pasjan, banori i këtij fshati Zoran Kostiq (41), i cili pas ndihmës së parë të dhënë në spitalin e Gjilanit është liruar për shërim në shtëpi.

Incidenti ka ndodhur kur Kostiqit, i cili ka qenë me familjen në automobil, ia ka prerë rrugën një makinë tjetër, në të cilën kanë qenë dy sulmuesit, të cilët, sipas viktimës, janë banorë të fshatit fqinj Vllashticë, të banuar me shqiptarë.

Kostiq është goditur me thikë në pjesën e kraharorit dhe në duar, ndërsa nga tragjedia e kanë shpëtuar banorët e Pasjanit, të cilët edhe kanë qenë dëshmitarë të rastit, ka deklaruar ai për radion “Kim” të Çagllavicës.

Kryetari i komunës së Partesh-Pasjanit Dragan Nikoliq ka deklaruar për Tanjug-un e Begradit se incidenti ka për qëllim frikësimin e serbëve në këtë pjesë të Kosovës dhe se ka kërkuar nga MPB-ja që përgjegjësit të zihen dhe të arrestohen.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Gjilanit Ismet Hashani e ka konfirmuar se incidenti ka ndodhur dhe se serbi i plagosur është dërguar në spitalin e Gjilanit dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Sulmi mbi serbin në Pasjan, sipas agjencisë serbe, ka shqetësuar bashkëkombasit e tij në Anamoravën e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat