Tentoi të vrasë për gjakmarrje, rrezikon 35 vjet burg

Kronikë e zezë

Tentoi të vrasë për gjakmarrje, rrezikon 35 vjet burg

Më: 27 prill 2015 Në ora: 08:50

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 35 vjet burg për shtetasin Redon Uka, i akuzuar për “vrasjen për gjakmarrje”, e mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”. Ky shtetas akuzohet se më datë 20.12.2013 ka tentuar për të vrarë shtetasin Gafurr Kadriu, pasi në vitin 2011 djali i të dëmtuarit ka plagosur me armë zjarri të pandehurin Redon Uka dhe vëllain e tij. Shtetasi Redon Uka i ka qëlluar tri herë me pistoletë të dëmtuarit Gafurr Kadria, duke e plagosur rëndë.

Nga aktet hetimore të këtij procedimi ka rezultuar se në datën 20.12.2013, rreth orës 13:30, në qytetin e Peshkopisë është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Gafurr Kadriu. Ngjarja ka ndodhur në kohën kur Gafurr Kadriu sapo ishte ndarë me shokun e tij, dëshmitarin A.SH, me të cilin ishte duke pirë kafe në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Bolonjës’, ku i pandehuri Redon Uka, pas shpinës së të dëmtuarit, në largësinë rreth një metër i është drejtuar me fjalët ‘a ti je Gafurr Kadriu?’.

I dëmtuari është kthyer prej nga vinte zëri dhe ka parë se ishte i pandehuri Redon (Sulejman) Uka, i cili menjëherë e ka qëlluar me armë pistoletë tri herë. Në dy goditjet e para i dëmtuari është qëlluar në pjesën e barkut, por akoma ishte i vetëdijshëm dhe pas kësaj ka rënë në gjunjë. Më pas ka nxjerrë krahun e djathtë përpara në drejtim të të pandehurit Redon Uka për t’u mbrojtur dhe në këtë moment është qëlluar edhe një herë prej të pandehurit.

Autori i ngjarjes i pandehurit Redon Uka është larguar nga vendi me armën në dorë, pasi është bindur që i dëmtuari Gafurr Kadri ishte vrarë. Shtetasi Gafurr Kadriu gjatë seancës së sigurimit të provës ka shpjeguar gjithë rrjedhën e ngjarjes dhe ka dëshmuar se e ka qëlluar me pistoletë pikërisht i pandehuri Redon Uka, apo siç quhet ndryshe Sul Uka, të cilit iu drejtua gjatë seancës së sigurimit të provës.

“Nga hetimet dhe shqyrtimi gjyqësor u prova se motivi i vrasjes ka qenë ai i gjakmarrjes. Gjakmarrja lidhet me një konflikt mes djalit të të dëmtuarit Gafurr Kadriu, shtetasit Aleksandër Kadriu dhe të pandehurit Redon Uka në datën 24.08.2011, ku si rezultat i një konflikti mes Aleksandër Kadriut dhe vëllezërve Redon e Klajdi Uka, Aleksandri ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të dy vëllezërve duke i lënë ata të plagosur në gjymtyrët e poshtëm të trupit. I pandehuri Redon Uka si rezultat i plagosjes ka ecur për një periudhë kohe me paterica.

Lidhur me këtë ngjarje është filluar procedimi penal përkatës dhe në përfundim të të cilit Gjykata e rrethit Gjyqësor Dibër ka deklaruar fajtor dhe dënuar shtetasin Aleksandër Kadriu”, thotë prokuroria. Pas kësaj ngjarjeje nga ana e familjes Kadriu janë bërë shumë përpjekje për pajtim mes dy familjeve, por i pandehuri Redon (Sulejman ) Uka nuk ka pranuar.

Kështu dëshmitari G.P ka dëshmuar se ka shkuar në shtëpinë e të pandehurit Redon Uka (Sul Uka), pas ngjarjes me kërkesë të të dëmtuarit Gafurr Kadriu me qëllim pajtimin e dy familjeve dhe aty ka gjetur pleq “rixhaxhi” për pajtim. Gëzim Pana i ka thënë të pandehurit Redon Uka që ta mbyllte konfliktin me familjen e Gafurrit, por i pandehuri Redon Uka i është përgjigjur se “punët e mia i di vetë”.

Gjatë bisedës datë 20.12.2013 ora 13.19.33, pra menjëherë pas ngjarjes, prindërit e të pandehurit Redon Uka, shtetasit Bardhul dhe Ajshe Uka bisedojnë me vajzën e tyre Sava (Vojsava) të cilën e informojmë se ‘’Sula e kish mbaru atë punë’’ , pra e kish vrarë shtetasin Gafurr Kadriu dhe motra e të dëmtuarit përgjigjet “e shyqyr, i lumt dora”.Gjatë kësaj bisede, babai i të pandehurit i thotë vajzës së tij që të shikojë lajmet se s’mundte ti tregonte me telefon. Në vijim e këshillon të mos trembet nëse shkojnë ata të policisë në shtëpinë e saj.

Më konkretisht ;

– …583; alo o Anis, a je mejr, a je lodh ?( duket zë fëmije)

– ….600; Alo(flet një burre), he me ti iu drejtove anises, ku o mami ?

– 583; Te shpaja

– 600; Jepja mamit telefonin

– 583; po, si është Denisa (vazhdon fëmija)

– 600; po mejr mejr krejt mejr

– 600; Jepja moj mamit telefonin

– 583; po, o maaa, foli gjyshit

– 583; Hë ba (e merr telefonin dhe flet nëna e fëmijës me emrin Sava)

– 600; oj Save si je

-583; Mire, si je ti ba a je mire a je lodh ?

-600; helbet me ardhe ndonjeri prej atyre helbet ndonjeri prej atyre mos u tremb

-583; mejr mejr

-600; a mejr?

-583; Mejr mejr rri pa merak

-600; Shiko ne televizor te Bashkimit shiko në lajme, se s’mund me deftu prej ktu, a ndgjove, a e ka marre vesh qysh asht?

-583; Jo skam marre vesh gje

-600; epo mire.

– 600; oj Sava , na foli mamit tand , ( flet e ëma)

-583; oj fije, oj mami si je

-600; Oj Sava

-583; Si je , a je lodh

-600; nga pak po ti, a je mire, cullët si janë ? Mos u mërzit hic.

-583; qysh asht ba?

-600; a e din Sula… ?

-583; he?

-600; Shnet mam e pun e madhe

-583; a ka bo gjo?

-600; po po, e ka mbaru ate pune

-583; e shyqyr i lumt dora

Po kështu gjatë bisedës datë 20.12. 2013 ora 16.01.12 , rezulton se Ajshe Uka bisedon me një femër të cilës i thotë se kishte qëlluar Sula i cili nuk është kapur.

Më konkretisht;

483; Po qysh u ba

600; Ajo që ka qënë për tu ba.

583;A Sula shtiu?

600; Po

583;A si kanë kap ?

600; Jo jo jo…..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat