"Tregtari" që vidhte makina dhe largohej në drejtim të paditur

Kronikë e zezë

"Tregtari" që vidhte makina dhe largohej në drejtim të paditur

Më: 26 prill 2015 Në ora: 17:39

Gjykata e Tiranës ka zbuluar skemën e një "tregtari" automjetesh, i cili u merrte paratë atyre që donin të shisnin makina tek ai. Sipas Gjykatës, 33-vjeçari Elvis Spahiu, është dënuar me 11 vjet burg për akuzën "mashtrim më shumë se një herë".

Ai prezantohej si tregtar automjetesh në Tiranë, binte dakord për çmimin me persona që donin të shisnin mjetet, i merrte ato për t'i provuar dhe më pas, largohej në drejtim të paditur, duke mos i kthyer më as makinat, as paratë.

Gjykata e mori vendimin më 15 prill, pas konfirmimit të rasteve ku 33-vjeçari kishte marrë, pa i kthyer, tre automjete. Sipas vendimit të Gjykatës, episodet për të cilat fajësohet i pandehuri, kanë ndodhur në vitin 2013, në Tiranë. Spahiu është takuar në muajin maj me shtetasin Ilir M., i cili ka pasur në pronësi një automjet tip "Benz", që kërkonte ta shiste.

"Fillimisht, i pandehuri e ka marrë makinën për ta kontrolluar dhe i ka thënë të dëmtuarit se do t'ia blinte për shumën 4500 euro. Meqënëse i pandehuri nuk e kishte në atë moment shumën e mësipërme, kanë rënë dakord që likuidimi i shumës të bëhej për disa ditë. Pavarëisht sa më sipër, ipandehuri ka fikur numrat e telefonave që dispononte dhe i është fshehur të dëmtuarit, duke mos i dhënë as makinën, as shumën për të cilin kishin rënë dakord", thuhet në vendim, shkruan "Panorama".

Në një episod tjetër, i dëmtuari Blendi S. ka dashur të shesë një automjet tip "Audi A8", të cilën ia ka lënë një personi që merrej me tredtim mjetesh. Ky i fundit, Erson Gj. është kontaktuar nga i pandehuri, Saphiu. Përveç Audi-t, ai ka kërkuar t'i blinte një automjet tjetër, tip "Toyota", duke rënë dakord për 10 mijë euro secilën. Sipas Gjykatës, i pandehuri nuk i ka kthyer as makinat, as lekët për të cilat kishin biseduar.

I pandehuri është fajësuar edhe për një shumë prej 66 mijë eurosh, të cilat ia ka marrë një të njohurit të tij dhe nuk ia ka thyer. Në vendimin e Gjykatës thuhet se, në korrik 2013, Spahiu i ka kërkuar të njohurit të tij, F.P një shumë prej 66 mijë eurosh. Ai ka rënë dakord t'i likuidojë për dy muaj, duke nënshkruar një kontratë noteriale. "Pavarësisht kësaj, i pandehuri i ka fikur numrat e telefonit për të shmangur çdo kontakt dhe nuk ia ka kthyer shumën që i ka marrë të dëmtuarit".

Procedimi i 33-vjeçarit nisi pas kallëzimeve të personave të mashtruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat