Skandal, viktima merret me kamionçinë (Video)

Kronikë e zezë

Skandal, viktima merret me kamionçinë (Video)

Më: 25 prill 2015 Në ora: 11:41

Trupi i pajetë i një personi është gjetur mëngjesin e sotëm në aksin Lezhë-Milot, nga kalimtarë të rastit që kanë lajmëruar policinë.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se, uniformat blu e kanë identifikuar të ndjerin, përmes një dokumenti që ai kishte me vete, si shtetasin Gëzim Sula, 60 vjeç.

Burimet saktësojnë se trupi është gjetur në vendin e quajtur Ishull Lezhë dhe nga hetimet paraprake dyshohet që ai të jetë goditur për vdekje nga një makinë.

Por refuzimi i automjetit privat të morgut në qytetin e Lezhës për të marrë viktimën ka krijuar një situatë shokuese në limitet e skandalit.

Televizioni A1 Report ka filmuar momentin kur dy efektivë të Policisë së Lezhës dhe një punëtor e vendosin kufomën në një mushama dhe më tej e hedhin në karroceri.

Të pranishëm në këtë skenë shokuese kanë qenë edhe drejtues të lartë të Policisë së qytetit të Lezhës të cilët përballë kësaj skene, kanë vendosur të bëjnë “policin rrugor” duke orientuar automjetet e tjera që qarkullonin në këtë aks. Gjithçka ka ndodhur në sytë e shumë kalimtarëve të cilët përdorin këtë aks rrugor.

Kontraktuar nga A1 Report, policia sqaron se ka nisur hetimet për refuzimin që ka bërë morgu i Lezhës për të transportuar trupin e pajetë të 60-vjeçarit. Gjtihashtu, policia deklaroi se ka qenë e detyruar të marrë me kamionçinë viktimën, pasi nuk mund ta linte në rrugë.

Tashmë mbetet në dorën e hetimeve për të vlerësuar nëse veprimi i bluve të Lezhës është bërë në përputhje me procedurat, kur një fatkeqësi e një aksidenti u kthye në pamje shokuese për pagesën e vetëm 1 mijë lekëve të rinj, që është tarifa e shërbimit privat për automjetin e morgut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat