Periudha tremujore shënon ulje të numrit të veprave penale në Mitrovicë

Kronikë e zezë

Periudha tremujore shënon ulje të numrit të veprave penale në Mitrovicë

Më: 24 prill 2015 Në ora: 17:16

Në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i përbërë nga strukturat civile, ato të sigurisë, përfaqësues të medieve, shoqërisë civile dhe komuniteteve që jetojnë në këtë qytet, gjendja e sigurisë në Mitrovicë u vlerësua e qetë dhe mjaftë stabile.

Komandanti i Stacionit Jugor të Policisë, Ahmet Gjosha, tha se përveç disa pakënaqësive sociale që kanë shpreh punëtorët e Kompanisë “Uniteti”, nuk ka pas ndonjë organizim të veçantë që do të ndikonte në destabilizimin e situatës së përgjithshme të sigurisë.

Duke iu referuar statistikave policore, Gjosha tha se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar, veprat e përgjithshme penale kanë shënuar rënie për 14 %, prej tyre veprat penale kundër pasurisë mbi 26 %.

Gjosha foli edhe për disa incidente që kanë ndodhur në mes të komuniteteve, të cilat kanë qenë të natyrës kriminale, ku për shqyrtimin e rasteve kanë bashkëpunuar ngushtë dy stacionet policore, në jug dhe veri. Po ashtu, u përmend edhe rasti i zhdukjes së Sead Alushit, operacioni për kërkimin e të cilit po vazhdon ende nga pjesëtarët e FSK-së, të mbështetur nga Policia e Kosovës dhe aktorët tjerë. U vlerësua edhe kontributi i madh i kryetarëve të dy komunave të Mitrovicës, medieve dhe familjarëve të viktimës.

Më pas u diskutua për disa aktivitete të tjera që janë ndërmarrë për vetëdijesimin e qytetarëve për siguri në trafik, ndërkohë që u kërkua edhe angazhimi i Inspektoratit për lirimin e disa rrugëve në qytet.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, tha se do të mbahet një takim me ekspertët e institucioneve përgjegjëse, ku do të hartohet një plan për rregullimin e trafikut, para se të vijnë bashkatdhetarët në mënyrë që të parandalohet tollovia në qytet.

Në kuadër të kësaj u kërkua që të ketë më shumë siguri në trafik për këmbësorët, në veçanti për nënat me fëmijë me karrocë, të cilat konsiderohet se janë të rrezikuara./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat