1800 euro për një diplomë, 6 persona në gjyq

Kronikë e zezë

1800 euro për një diplomë, 6 persona në gjyq

Më: 24 prill 2015 Në ora: 15:50

Gjashtë persona, të cilët akuzohen se shpërndanin diploma false të shkollës së mesme kundrejt shumave të konsiderueshme, janë dërguar për gjykim.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka ngritur akuzat për veprën penale "Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të “Ushtrimit të ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe të “Falsifikimit të dokumenteve shkollorë” nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, në bashkepunim, të parashikuara nga nenet 187/2-25, 245/1 e 259 te K.Penal, për shtetasit:

Afete Koka, ish-punonjes prane Universitetit Jopublik “Kristal”, Tiranë

Gramoz Shehu, ish-punonjes prane Universitetit Jopublik “Kristal”, Tiranë

Arbër Pelo, mësues në Fier

Andrea Haxha, drejtor i një gjimnazi publik në Fier

Aleksia Troka, sekretare në gjimnazin publik në Fier

Belita Zeqiri

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një grup që siguronte diploma gjimnazi false për persona të ndryshëm në këmbim të shumës 1800 euro. Sipas skemës së zbërthyer nga Prokuroria e Tiranës, rezulton se këta shtetas, 3 prej të cilëve nga Tirana, viheshin në kontakt me persona që kërkonin të pajiseshin me diploma të shkollës së mesme dhe më pas komunikonin me drejtorin dhe sekretaren e gjimnazit publik në Fier, për t’i pajisur me dokumentin që dëshmonte se kishin përfunduar studimet e mesme.

Zyrtarët arsimorë, pasi i përfshinin në mënyrë fiktive si të regjistruar në shkollën e tyre, u kërkonin personave që kërkonin diplomë gjimnazi, të merrnin pjesë në Provimin Shtetëror të Maturës. Lidhur me rezultatet e kërkuesve të diplomës në këtë provim, zyrtarët e gjimnazit ndërhynin në rezultatin përfundimtar, duke u dhënë atyre notë kaluese. Për këtë shërbim, të gjithë personat e përfshirë ndanin shumën prej 1800 eurosh për person.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat