Masakra për tokën në Qelëz/ Vranë në pritë dy vëllezër, plagosën familjarët

Kronikë e zezë

Masakra për tokën në Qelëz/ Vranë në pritë dy vëllezër, plagosën familjarët

Më: 20 prill 2015 Në ora: 09:57

Gjykata e Apelit të Shkodrës ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor, e cila dënonte me burgim të përjetshëm vëllezërit Anton dhe Sokol Permakaj, të akuzuar për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, në një ngjarje të ndodhur në fshatin Qelëz, Pukë, në 29 qershor 2012.

Po ashtu, për të njëjtën akuzë, Gjykata e Apelit vendosi dënimin me 24 vjet burgim për Fran (Seferin) Permakaj dhe 22 vjet burgim për Bardhok Permakaj, pjesëmarrës në vrasjen e shtetasve Paulin dhe Hilë Markaj, si edhe në plagosjen e shtetasve Tone Markaj, Angjelina Markaj dhe Alfons Markaj

Shqyrtimi në Gjykatën e Apelit u bë pas ankimit të palës mbrojtëse. Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e mbrojtjes, duke mbështetur akuzat e prokurorisë.

Pas hetimit të Prokurorisë, ka rezultuar se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit Anton Permarkaj, Sokol Permarkaj, Bardhok Permakaj (vëllezër) dhe Fran Permakaj (djali i xhaxhait të tyre), u kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të anëtarëve të familjes Markaj.

Nga goditjet e të pandehurve kanë mbetur të vdekur shtetasit Paulin dhe Hilë Markaj, si edhe të plagosur shtetasit Tone Markaj, Angjelina Markaj dhe Alfons Markaj. Në vendngjarje kanë qenë edhe tre anëtarë të tjerë të familjes Markaj, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar dëmtime.

Konflikti ndërmjet famijeve Permarkaj dhe Markaj kishte nisur disa kohë më parë se të ndodhte ngjarja kriminale, për shkak të një toke që i ishte lënë në përdorim familjes së të pandehurve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat