​Sulmohet një polic në veri të Mitrovicës

Kronikë e zezë

​Sulmohet një polic në veri të Mitrovicës

Më: 19 prill 2015 Në ora: 22:16

Disa persona kanë sulmuar patrullën e policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, ndërsa si pasojë e plagëve një polic është duke u trajtuar në spitalin e veriut të këtij qyteti , bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, polici i lënduar është Miqo Vakiq, ndërsa dyshohet se është sulmuar nga Dejan Jovanoviq, rreth 45 vjeçar dhe I njohur për policinë.

“Derisa automjeti i policisë ishte duke lëvizur në kolonë me shpejtësi të vogël, disa persona kanë dal nga kafiteria Vozhd dhe kanë hapur derën e automjetit të policisë, ndërsa njëri prej tyre ka grushtuar policin në fjalë, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe fytyrë”, kanë thënë burimet.

Në anën tjetër, zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka konfirmuar për KosovaPress sulmin ndaj policit, por në një version ndryshe.

Sipas tij, sulmuesi i cili ka qenë nën ndikim të alkoolit, ka shkaktuar një aksident trafiku para kafiterisë Vozhd në veri të Mitrovicës, dhe kur policia e kanë marrë në automjetin e tyre për ta dërguar për intervistim në polici, ai brenda automjetit dhe në gjendje të dehur ka sulmuar me grushte policin, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë dhe kokë.

Hoti tha se sulmuesi është arrestuar dhe ndodhet në stacionin policor të veriut të Mitrovicës, ndërsa nuk ka përmendur emra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat