Digjen dy automjete të policëve në veri

Kronikë e zezë

Digjen dy automjete të policëve në veri

Më: 2 prill 2015 Në ora: 08:03

Një automjet i markës Ford Mondeo karavan me ngjyrë të zezë dhe pa targa, pronë e policit Milivoje Miletiq, është djegur tërësisht mbrëmë gjatë natës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, Miletiq punon në njësitin anti-drogë në jug të Mitrovicës, ndërsa në momentin e djegies automjeti ka qenë i parkuar para stacionit të policisë në veri të Mitrovicës.

Mësohet po ashtu se një automjet tjetër BMW 320 me ngjyrë hiri, pronë e policit të Kosovës Sërgjan Kostiq, është djegur gjatë natës së mbrëmshme në Lagjen e boshnjakëve në veri.

Burime të KosovaPress-it kanë thënë se të dyja automjetet janë djegur në të njëjtën kohë, përkatësisht rreth orës 2:20 të mëngjesit të sotëm.

Deri tani nuk dihen autorët si dhe motivet e këtyre incidenteve, por burimet theksojnë se djegia e automjeteve është bërë qëllimshëm.

Djegien e këtyre automjeteve e ka konfirmuar për KosovaPress shefi i operativës në policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq.

Sipas tij, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punohet në zbardhjen e këtyre incidenteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat